“Luftoni korrupsionin!” Është ky mesazhi që shkon për Shqipërinë jo vetëm çdo 9 dhjetor që përkon me ditën ndërkombëtare kundër këtij fenomeni, por në çdo raport ndërkombëtar.
Korrupsioni vijon të mbetët një ndër problemet më serioze për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm të bërit biznes citohet në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit përpjekjet për reduktimin e këtij fenomeni kanë qenë të pamjaftueshme.
Zbatimi i strategjisë së autoriteteve kundër korrupsionit thekson FMN ka vazhduar por po ecet me ritme të ngadalta
Por, edhe raporte të tjera për klimën e biznesit e rendisin Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në vend.
Të njëjtin shqetësim ngriti edhe Komisioni Europian vetëm pak kohë më parë në progres raportin për Shqipërinë të publikuar në tetor të këtij viti, duke bërë thirrje për forcim të shtetit të së drejtës dhe përmirësim të kushteve të të bërit biznes në vend, pasi mosndëshkimi i korrupsionit po cenon ekonominë e vendit.
Departamenti Amerikan i Shtetit nga ana tjetër në raportin për klimën e të bërit biznes thekson se përhapja e korrupsionit po sfidon investitorët duke i bërë ata më pak të interesuar për të ardhur në Shqipëri.
Perceptimi negativ i investitorëve të huaj për Shqipërinë si vend potencial për të bërë biznes, bëri që vendi të zbresë në vend të 82 në listën e Doing Business të Bankës Botërore në vitin 2020, një tregues tepër negative për treguesin e korrupsionit por dhe faktorëve të tjerë që pengojnë sipërmarrjen.
Top Channel