Pas një takimi 60 minutësh në zyrën e Lulzim Bashës, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dha dy mesazhe shkurt për mediat; institucionet shqiptare duhet të jenë ato që luftojnë korrupsionin dhe se kreun e PD-së e pret në SHBA.

Ndihem i lumtur që u takova me opozitën, ku shprehëm angazhimin për NATO-n dhe integrimin evropian, si dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Escobar.

Vizita e parë e tij në Shqipëri nisi me krydemokratin Basha, ku ai theksoi se “jam shumë i kënaqur që jemi pjesë e saj, përfshirë dhe pikën tonë të fortë kundër korrupsionit dhe sanksioneve”.

Sa i përket këtij angazhimi, Escobar tha se do të ketë përpjekje të vazhdueshme për ta kthyer në realitet.

Që të luftojmë korrupsionin dhe ta kthejmë në realitet duhet të kemi bashkëpunimin e institucioneve shqiptare”, deklaroi ai.

Në përfundim të fjalës, ai bëri me dije se mes tij dhe kryedemokratit do të zhvillohet një takim tjetër në Uashington.

Pres të zhvilloj të tjera bisedime pasdite dhe të vazhdoj raportin me Partinë Demokratike. Do të shoh zotin Basha në Uashington sa më shpejt të ketë mundësi”.

Pasi përcolli të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, kreu i PD-së Lulzim Basha tha për mediat se gjatë takimit u diskutua edhe për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit”, tha Basha.

I pyetur nëse planifikon ndonjë udhëtim në Uashington pasi mori edhe një ftesë nga Escobar, Basha u përgjigj:  “Është një ftesë e përsëritur dhe e mirëpres me kënaqësi dhe padiksutim po planifikoj një vizitë në Uashington në mënyrë që të shtyjmë përpara jo vetëm objektivat politike të Partisë Demokratike, por atë që është sot agjenda e çdo familje shqiptare, dalja nga kjo gjendje pezullie, dëshpërimi, plogështie që ka shkaktuar 25 prilli dhe ecjen përpara të Shqipërisë me reformat politike, me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë që garancitë janë spirancat e mirëqenies ekonomike dhe punësimit. Dy objektivave kryesore të shqiptarëve, dy objektivave kryesore të Partisë Demokratike”.

Zyrtari i Lartë ishte i shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Kjo vizitë ka ardhur vetëm dy ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, i cili është shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Presidenti demokrat i SHBA-ve, Joe Biden, ka theksuar vazhdimisht se nga sanksionet e tyre synohen personat e përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, në korrupsion dhe që minojnë demokracinë.

Këto dy akuza të fundit ishin edhe shkaku pse ish-kryeministri Berisha u shpall person non grata.

Vizita e Escobar-it në Shqipëri u konfirmua më 7 dhjetor nga Ambasada Amerikane në Shqipëri, ku dhe zbardhi agjendën e tij.

Escobar e vizitoi Shqipërinë në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA