Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Taulanda Jupi është përfshirë në një debat të fortë këtë të mërkurë në emisionin Open në Top Channel, ndërsa po diskutohej 8 dhjetori i ndarë i demokratëve.

Jupi e ka akuzuar për tradhti Këlliçin, duke theksuar se Foltorja nuk do e dërgojë në asnjë vend PD-në. Ajo gjithashtu tha një akuzë të rëndë ndaj mbështetësve të Sali Berishës, duke thënë se po i marrin njerëzit zvarrë në Foltore.

Jupi: Për çfarë po e mbani kuvendin  më 11 dhjetor?

Këlliçi: Për të reformuar PD-në.

Jupi: Kë, ata demokratë që i tërhiqni zvarrë që të thonë emrat e tyre?! Në 5 shkurt kur ke mbajtur programin e rinisë. Ti po e mohon Bashën.

Këlliçi: Nuk po e mohoj, kush po i mohon.

Jupi: A e ke votuar më 25 prill? Bashën?

Këlliçi: Nuk duhet ta them se vota është e fshehtë, por po e them po.

Jupi: A ia ke shprehur mbështetjen dhe pastaj shkove në Foltore.

Këlliçi: Ti nuk e njeh PD-në.

Jupi: Sigurohu edhe njëhërë.

Këlliçi: Mos e kthejmë në personale.

Jupi: Ajo foltore vetëm për qëllim për të reformuar PD nuk është.

Kujtojmë se 8 dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, i gjeti të ndarë demokratët, për herë të parë që prej krijimit të partisë.

Kryedemokrati Lulzim Basha mori pjesë në aktivitetin për Ditën e Rinisë tek ‘ArTurbina’, ndërsa Berisha në Qytet Studenti, ku u mbajtën edhe homazhe tek shtatorja e Azem Hajdarit.

Ky është një vit ndryshe për demokratët që vazhdojnë të jenë në një krizë politike të brendshme, ku ish lideri historik Sali Berisha kërkon që të rikthejë PD në nivelet e mëparshme duke thirrur Kuvendin kombëtar me 11 dhjetor ndërsa nga ana tjetër kryedemokrati e quan të paligjshëm këtë kuvend, dhe ka thirrur Kuvendin e PD-së me 18 dhjetor.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Top Channel