Kryeministri Edi Rama ka zbardhur bisedën e zhvilluar me një zyrtar, i fundit ky që i kishte dërguar mesazhin se sekretares Hilary Clinton i duhet ndihma e tij, për strehimin e qytetarëve afganë.
Rama tha se si fillim ishte habitur nga kjo ndihmë që i ishte kërkuar, por nuk e kishte vënë në dyshim dhe ishte vënë në lëvizje.
Po ashtu kryeministri tha se nuk ka pritur që sekretarja Clinton ta merrte në telefon para se të niste dhënia e ndihmës, ndërsa më vonë pasi aksioni përfundoi sigurisht që ajo e telefonoi dhe falënderoi gjithashtu.
““Tradhtarët”, siç na mëson historia jonë mjaft e hidhur e diktaturës, janë ata që pasi instalohet një regjim shikohen si bashkëpunëtorët e armikut dhe, në këtë rast, “tradhtarët” ishin të gjithë ata afganë, burra e gra, që na u gjendën ne, që punuan me ne, që mbuluan kaq shumë shërbime për vendet e NATO-s. Gjithashtu ishin ata që u rreshtuan në vijën e parë të ndryshimit, pasi besuan në ato që u thamë ne, që ishim aty për ta bërë një vend ndryshe Afganistanin. Ata na besuan, u rreshtuan krah nesh dhe befas, pas njëzet vjetësh, ne ikëm.
Sigurisht, ky nuk ishte vendimi im. Unë e them përherë se të jesh Kryeministri i Shqipërisë në NATO është punë goxha e lehtë, sepse nuk të takon ty t’i marrësh vendimet. Por gjithësesi, m’u duk mjaft e çuditshme që askujt nuk po i shkonte mendja tek këta njerëz. Më pas, në gusht, kur situata nisi të vështirësohej, dikush erdhi në Shqipëri e më tha: “Sekretares Klinton i duhet ndihma jote”. Ia ktheva: “Si është e mundur? As në ëndërr s’e kam parë!” “E kam seriozisht!”, vazhdoi ai. Pastaj, ai – se ishte një “ai”, meqë ra fjala – më tregon për Vital Voice e gjithë të tjerat dhe unë i them: “Në rregull, eja ta bëjmë”. “Si?”, thotë.
“Ta bëjmë, t’i marrim këto gra”.
Më thotë: “A do që të të marrë në telefon Sekretarja Klinton?”
“Jo – i them – eja ta bëjmë, pastaj, nëse do të kujtohet më për këtë, le të më marrë në telefon.” (E di, meqë ra llafi, se është shumë amerikane… të paparë kur vjen puna për të të joshur e, pastaj, kur mbarojnë punë të thonë: “Më fal kush je?”)
Megjithatë, nuk ishte ky rasti dhe ajo më telefonoi. Kur të gjitha gratë në listë ishin shpëtuar e vendosur në Shqipëri, më telefonoi dhe, sigurisht, ishte nder shumë i madh”, tha Rama.
Top Channel