Takimi i eurodeputetes dhe raportueses për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon me një peshkop serb në dioqezën e kishës ortodokse serbe në Dyseldorf të Gjermanisë, ka bërë që kleriku të “kryqëzohet” nga mediat ne Serbi.

Disa prej tyre pyesin përse peshkopi pranoi të takohej me Von Vramon.

“Publiku pret përgjigje”, përse Grigorije e tradhtoi kishën e tij dhe çfarë i premtoi lobistes shqiptare”, është titulli i tabloidit serb, “Alo”, i cili termin “shqiptar/shqiptare” e shkruan me gjuhë ofenduese, “šiptarskoj”.

“Grigorije, si e lejove lobisten kryesore shqiptare ta shfuqizojë kishën tonë ortodokse serbe para teje?!”, vazhdon shkrimi duke marrë shkas nga një replikë e Viola von Cramon.

“Nuk ka ‘kishë ortodokse serbe’, këto janë dioqeza autonome, ndryshe nga Kisha Katolike. Flisni me peshkopin dhe do të habiteni”, ka shkruar ajo.

Eurodeputetja tha se takimi me peshkopin mbi sfidat e përbashkëta, kishte qenë mjaft i vlefshëm.

Diskutim konstruktiv dhe i hapur me peshkopin Grigorije, dioqezën e kishës ortodokse serbe të Dyseldorfit dhe të gjithë Gjermanisë, mbi sfidat e përbashkëta dhe dialogun ndërfetar në Ballkanin Perëndimor dhe Gjermani”, ka shkruar Von Cramon.

Le ta përdorim atë që na bashkon për të mirën e të gjithëve”, shtoi ajo.

Top Channel