Meta flet sot për zgjedhjet e reja/ Presidenti të martën mban qëndrim për vendimin e Kushtetueses për zgjedhjet e 2019

07/12/2021 00:59

Të martën presidenti Ilir Meta mund të shpallë datën për zgjedhjet lokale të pjesshme në 6 bashki që janë pa kryetar.

Zëdhënësi i Presidencës Tedi Blushi njoftoi përmes një statusi në rrjetet sociale se ditën e martë presidenti do të shprehet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit të 2019.

“Sot në mesditë ka mbërritur në protokollin e Institucionit të Presidentit të Republikës njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për vendimmarrjen e saj për çështjen e zgjedhjeve vendore 2019. Në respekt të transparencës dhe për rëndësinë e veçantë, që ka kjo çështje për të gjithë qytetarët, brenda ditës së nesërme Institucioni i Presidentit të Republikës do të ketë një qëndrim zyrtar, që do ta bëjë publik për opinionin vendas dhe ndërkombëtar”.

Pas zbardhjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, presidenti sipas kushtetutës ka detyrën të shpallë zgjedhje të parakohshme në ato bashki që janë pa kryetar të zgjedhur, si Shkodra, Durrësi, Vora, Dibra, Rrogozhina dhe Lushnja.

Por të martën do të shohim nëse presidenti Meta do të nxjerrë një dekret për zgjedhje të pjesshme në 6 bashki, apo do të marrë ndonjë vendim tjetër.

Top Channel