Foto/ Balla takon në Washington ish-ambasadorin e SHBA në Shqipëri, Alexandër Arvizu

07/12/2021 10:19

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ndodhet në Washington ku mori pjesë në Forumin Parlamentar të Inteligjencës dhe Sigurisë.

Gjatë qendrimit në Washington Balla ka takuar ish-ambasadorin e SHBA në Shqipëri, Alexandër Arvizu.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla teksa ka ndarë një foto me ish-ambasadorin Arvizu shkruan: “Një darkë shtëpie me një mik të vjetër dhe të mirë si Ambasadori Alexander Arvizu”. 

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Gjatë qëndrimit në Washington, një darkë shtëpie me një mik të vjetër dhe të mirë si Ambasadori Alexander Arvizu🙏

Alexander Arvizu shërbeu si Ambasador i SHBA në Republikën e Shqipërisë në periudhën 2010-2015.

Arvizu ishte një Amabasador kontroversial, siç në fakt kanë qenë shumica e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri, kur nuk u kanë pëlqyer njërës apo tjetrës palë politike.

Ai u bë menjëherë qendra e vëmendjes, sidomos pas ngjarjeve të 21 janarit ku ai e quajti Kryeministrin Berisha ‘burrë shteti’. Komplimenti erdhi pas vendimit të Berishës për të mos zhvilluar një miting të mbështetësve të tij në të njëjtën ditë me parakalimin në Bulevard të shefit të opozitës Rama.

Po ato ditë ai habiti shumëkënd kur u shkëput për të takuar dhe shtrënguar duart me punonjës të Policisë së Shtetit diku në afërsi të ministrisë së Brendshme. Ajo që u duk si ‘marrje ane’ nga shumë analistë të majtë, ishte në fakt, respekti amerikan për institucionet.

Arvizu vazhdoi të mbetet shumë aktiv edhe pas këtyre ‘incidenteve’ dhe nuk iu shmang mundësive për t’i lënë të pakënaqur politikanët e dy krahëve në Shqipëri.

Në fund të mandatit të tij, për arsye ende të paqarta, u shfaq një ftohje e fortë në marrdhëniet e tij me mazhorancën e asokohe që drejtohej nga Berisha.

Ai e mbajti postin e Ambasadorit me ‘kohë ekstra’ duke qenë se Senati kishte bllokuar kalimin e disa ambasadorëve amerikanë në Europë.

Top Channel