Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Washington takoi sot kongresmenin David G. Valadao.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Balla deklaron se SHBA janë aleati dhe partneri strategjik i Shqipërisë.
Sipas Ballës, për Shqipërinë marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësisë parësore në nivelin e partneritetit strategjik dhe përbëjnë themelin e politikës sonë të jashtme.
“Bashkëpunimi me SHBA është sot në një nivel të shkëlqyer në dobi zhvillimeve demokratike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të parimeve të ekonomisë së tregut, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, të luftës kundër terrorizmit”.
Taulant Balla po merr pjesë në Forumin Parlamentar të Inteligjencës dhe Sigurisë, ndërsa më herët deklaroi se takimi është një mundësi e mirë edhe për të ndarë eksperiencat më të mira, ku natyrshëm SHBA janë një model, tek i cili mund të referohemi, por dhe për të intensifikuar kontaktet e drejtpërdrejta pas një ndërprerjeje për shkak edhe të pandemisë me anëtarët e Kongresit, qofshin ata të Dhomës së Përfaqësuesve apo Senatit.
Top Channel