“Të vrasësh foshnjen 8-muajsh është hakmarrje dhe jo grabitje’/ Gazetarja komenton “Masakrën e Libofshës”

06/12/2021 13:23

Gazetarja Laureta Roshi e ftuar në emisionin “Shqipëria Live” këtë të hënë e ka quajtur hakmarrje “Masakrën e Libofshës” të ndodhur 30 vite më parë dhe jo një grabitje.

Ajo gjithashtu rrëfeu momentin kur pa dy trupat e varur në mes të Fierit.

“Kam qenë me babanë tim dhe nuk kam pasur një kërshëri, mbaj mend vetëm një ngjyrë të verdhë si kauçuk që dukeshin. Ishin vetëm 4 ditë hetime që i vunë vulën atyre. Janë trupa të imët të paushqyer asnjëherë mirë. Shpeshherë hetime të shpejta mund të kenë lënë autorë të tjerë. Të gjithë të rriturit dhe të masakrosh një foshnje 8 muajsh është një hakmarrje dhe jo një grabitje. Masakrimi i tyre tregon një demon hakmarrjeje. Nëna e tyre ishin fëmijë me dy barqe, e vetmja që bashkonte ishte vajza që u aterua se ka qenë e fejuar me njërën nga viktimat”, tha Roshi.

Vëllezërit e varur në mes të Fierit

Shqipëria e ka hequr dënimin me vdekje prej gati 3 dekadash tashmë. Ishte viti 1992 pikërisht në Fier, kur u ekzekutua për herë të fundit një dënim kapital, varje në mes të qytetit, ndërsa prej 8 muaj kishte ardhur demokracia dhe legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende.

Vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”.

Varja u realizua me 25 qershor të vitit 1992, në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër, për t’u parë nga turma njerëzisht që erdhën edhe nga qytetet e tjera.

Dy vëllezërit vranë  Petrit, Zenepe, Agim, Rajmonda dhe  Magdalena Pupa, pesë anëtarë të një familjeje.

14 shtete në gjithë botën e lejojnë me ligj dënimin me vdekje si praktikë për ekzekutimin e kriminelëve të një shkalle rrezikshmërie shumë të lartë.

Në asnjë shtet të Europës, përfshi Shqipërinë, nuk lejohet dënimi me vdekje.

Katërmbëdhjetë vendet që kanë legalizuar dhe ruajtur të drejtën për të ekzekutuar kriminelët për krimet e tyre janë: Bangladeshi, Kina, Egjipti, Etiopia, Indi, Indonezia, Irani, Japonia, Nigeria, Arabia Saudite, Korea e jugut,  Sri Lanka, Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kujtojmë se “Masakra e Libofshës” erdhi sërish në kujtesën e shqiptarëe pas vrasjes së Mateos 8-vjeçar nga fqinji i tij në Greçalli të Fierit.

Në qytetin e Fierit, të pushtuar nga dhimbja e madhe për humbjen e një djali 8-vjeçar, familja e Mato Vasiu kërkon dënim kapital me varje për autorin e vrasjes Klodian Çalameni.

Top Channel