Ramush Haradinaj, kreu i partisë AAK ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojnë me kryeministrin Albin Kurti përballë Serbisë.

Ai tha se Kosova nuk e ka luksin për debate në këto momente, e as për t’i kërkuar dorëheqjen Kurtit, por duhet të bëhen së bashku për të bërë të mundur njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Unë dhe Partia ime si dhe Grupi Parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit.

Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Kosova sot nuk e ka komoditetin e debateve as për tërheqje, as për dorëheqje e as për zgjedhje të reja”, shkruan Haradinaj.

Sipas Haradinajt,  siguria në Ballkan është në rrezik dhe sipas tij Kosova ndodhet përballë sfidave të mëdha që duhen përballuar.

“Informatat për situatën e sigurisë në Ballkan, kurrë nuk kanë qenë më shqetësuese në këto njëzet e sa vjet. Kosova sot është përballë sfidave të mëdha që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj. Natyrisht sfida më e madhe është marrëveshja finale me Serbinë, e cila ka të ngjarë të hyjë në fazën e vet përfundimtare”, sipas Haradinajt.

Top Channel