Foltorja e ish-kryeministrit Sali Berisha është ndalur sot për të biseduar me shqiptarët demokratë në New Jersy, në SHBA.
Në fjalën e tij Berisha nuk la pa sulmuar edhe kreun aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të cilin e quajti një person që ka ndjekur modelin e kundërshtarit për vjedhjen e votës. Por sipas Berishës, Basha këtë e ka zbatuar në zgjedhjet brenda PD-së.
“Shqiptarët kanë humbur zemrën e lirisë së tyre, votën e lirë. Prej 8 vitesh shoqëria shqiptare voton, narkoqeveria numëron, opozita në pamundësi të plotë nuk arriti asnjëherë të imponojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bëri të kundërtën. Gradualisht ndoqi modelin e kundërshtarit, armik të votës, deformoi votën brenda PD-së. Por për të gjithë ne është e qartë se vota e lirë është ADN-ja e të gjitha partive.
Me 11 dhjetor ne rithemelojmë de fakto PD-në, e cila u largua nga këto vlera. Me 11 dhjetor ne ngremë përsëri në Tiranë monumentin e pluralizmit politik, i japim vendit opozitën e vërtetë për karshi asaj të marrë peng nga narkoqeveria. Ata që themeluan PD në ‘90 e dinë mirë përpjekjet e qeverisë dhe Ramiz Alisë në atë kohë për të penguar atë themelim. Por pas themelimit të saj e pranuan zhvillimin dhe ato të mëvonshme. PD i priu revolucionit të përmbysjes së sistemit komunist”, tha Berisha.
Po ashtu ish-kryeministri Berisha nuk la pa përmendur edhe kundërshtarin politik Edi Rama, duke thënë se ky i fundit e ka marrë peng opozitën.
“Rama ia doli të marrë peng opozitën në krimin më të shëmtuar politik të kohërave, ia doli ta shndërrojë atë në fasadë, për shkak se kryetari i saj i lejoi vetes të implikohet në afera, të cilat kurrë një njeri i virtytshëm nuk do ia lejonte vetes. Ja sepse 11 dhjetori është rithemelimi i PD dhe pluralizmit politik në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
Top Channel