Kontrata deri në fund të sezonit është firmosur dhe leja e punës ka ardhur, ndaj Ralf Rangnick është gati të debutojë si trajner i Manchester United të dielën në transfertën londineze ndaj Crystal Palace.
Tekniku 63-vjeçar gjerman doli në një konferencë për shtyp, ku foli kontratën e tij me klubin dhe u shpreh optimist që eksperienca e tij te “djajtë e kuq” mund të vijojë edhe pas 6 muajsh.
“Diskutimi im ka qenë i qartë me të gjithë dhe marrëveshja aktuale përfshin një bashkëpunim 6-mujor, ose më saktë deri në fund të sezonit aktual. Nëse në verë drejtuesit do të më kërkojnë sërish të diskutojmë për një projekt më afat-gjatë, ndoshta e gjejmë gjuhën e përbashkët, por për momentin synimi im është vetëm ndeshja e radhës”, deklaroi Rangnick.
Trajneri gjerman ka folur edhe për idenë e tij të lojës dhe rëndësinë e Cristiano Ronaldos te Manchester United, teksa deklaroi se pikërisht portugezi do të jetë në qendër të vëmendjes.
“Ne duam që idenë tonë të lojës ta ndërtojmë rreth lojtarit më të mirë që kemi dhe sigurisht që në qendër do të jetë Ronaldo. Të shihje atë në pjesën e dytë ndaj Arsenalit, ishte e magjishme, ndonëse është 36 vjeç. Nuk kam parë asnjë futbollist të asaj moshe, që të tregojë atë freski dhe forcë fizike. Ajo që na duhet, është të jemi më të balancuar, pasi pësojmë mesatarisht dy gola për ndeshje dhe kjo është vërtetë shumë”, u shpreh gjermani.
Top Channel