“Mbarësi e shëndet”/ Rama falenderon kancelaren Merkel që u largua pas 16 vitesh nga drejtimi i Gjermanisë

03/12/2021 14:09

Angela Merkel u largua nga drejtimi i Gjermanisë, pas 16 viteve në funksionin e kancelares së një ndër vendeve më të fuqishme në Europë.

“Zonja e Hekurt” ka marrë mesazhe falenderime e urimi nga politikanët në mbarë botën.

Kryeminstri Edi Rama i uron mbarësi e shëndet në kapitullin e ri e jetës së saj të jashtëzakonshme, siç e quan ai.

Gjatë qeverisjes, Rama ka zhvilluar disa takime zyrtare me kancelaren, ndërsa mediet kanë dalluar marrëdhënien e mirë mes dy politikanëve. Ajo erdhi në Tiranë në muajin shtator, në vizitën e fundit që bëri në vendet e rajonit si kancelare. Rama i dha asaj kordonin e madh me yll të medaljes së kryeministrit për mirënjohje publike, ndërsa Merkel tha se ishte një nder i madh të punonte me kryeministrin e Shqipërisë.

Pas katër legjislaturash, kancelarja e parë e Gjermanisë që nuk doli e humbur nga zgjedhjet, vendosi të tërhiqej vetë. Në këto 16 vjet të drejtimit të qeverisë kaloi nëpër plot momente të vështuira, ndaj dhe e quajtën “kancelarja e krizave”. “Ishin 16 vjet plot ngjarje dhe sfida, që kanë kërkuar shumë prej meje, por edhe më kanë plotësuar“, tha Merkel.

Në fjalën e lamtumirës ajo  përmendi tre krizat kryesore: atë të sistemit bankar, në vitin 2008, krizën e emigracionit në vitin 2016 dhe atë të pandemisë së virusit Covid. Ajo kujtoi parimin e qeverisjes së saj për “barazimin e interesave”, duke dëgjuar gjithmonë edhe palën tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA