Vrasësi i Michigan ishte thirrur me prindërit në shkollë disa orë para masakrës (fotot)

02/12/2021 15:22

Vrasësi i shkollës se mesme në Michigan, Ethan Crumbley ishte takuar me mësuesit dhe prindërit për të diskutuar “sjelljen” e tij tre orë para se të ekzekutonte katër shokë klase e të plagoste shtatë persona të tjerë të martën.

15 vjeçari Crumbley është akuzuar tashmë me katër vrasje, terrorizëm dhe akuza të tjera armëmbajtjeje.

Mbrëmë zyra e sherifit të Oakland publikoi foton e regjistrimit në polici.

Ai vrau katër shokë të klasës së tij kur hapi zjarr në korridor rreth orës 1 pasdite.

Në ora 10 atë mëngjes, nëna e tij Jennifer dhe babai James ishin thirrur në shkollën Oxford High për t’u takuar me mësuesit për sjelljen e Ethan.

Nuk është e qartë arsyeja e saktë e takimit por kjo ishte hera e dytë që Ethan i tërhiqej vëmendja vëmendja brenda disa ditëve. Disa media vendase raportonin për dëshmitarë që thonin se ai ngacmohej ose bullizohej nga disa prej viktimave, por policia tha se nuk ka gjetur dëshmi që vërtetojnë diçka të tillë.

Ndërkohë prokurorët thanë se kanë gjetur në çantën e tij një ditar, ku cilësohet se dëshironte që qëllonte njerëz në shkollën e tij.

Prokurorët kanë ngritur akuza si ndaj një të rrituri për Crumbley duke kërkuar dënim me burgim të përjetshëm. Ata shtuan se prindërit e tij mund të ndiqen penalisht për mosmbajtjen të sigurt të armës, pistoletë kalibër 9mm me të cilën u krye masakra.

Të martën ai ka qëlluar rreth 30 herë me dy karikatorë nga 15-fishekë, ndërsa një i tretë u gjet në afërsi të shkollës. Nxënësi vrasës raportohet nga policia se kishte të tjerë fishekë nëpër xhepa.

Ai qëlloi për vdekje  katër fëmijë; Tate Myre 16 vjeç, Hana St Juliana, 14 vjeçe, dhe 17-vjeçarin Madisyn Baldwin. Viktima e katërt, 17 vjecari Justin Shilling, vdiq në spital mëngjesin e djeshëm.

Policia ka bastisur gjithashtu shtëpinë e autorit, rreth 3 km larg shkollës, dhe ka sekuestruar aty disa armë të tjera, shkruan dega amerikane e Daily Mail.

Ata shtonin se i ati punonte për një kompani kompjuterike, Autonomous, Inc.

Autoritetet thanë se kishin zbuluar disa postime të autorit ku paralajmëronte masakrën  por nuk ishin njoftuar për to përveçse pas sulmit.

Në një llogari në Instagram me emrin e Crumbley, e cila tashmë është mbyllur, shkruhej: “Tani unë bëhem Vdekja, Shkatërruesi i botës. Shihemi nesër shkolla Oxford” , raportonte rrjeti  Fox 2 Detroit.

FOTO GALERI
1/10
Vrasësi i shkollës se mesme në Michigan, Ethan Crumbley

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA