Ligji për bashkëqeverisjen/ Rama: Do të identifikohen problemet në administratë, ndahet i njomi nga i thati

02/12/2021 16:46

Kryeministri Edi Rama ka folur për ligjin për bashkëqeverisjen dhe platformën antikorrupsion në takimin publik në Elbasan. Rama ka bërë të ditur se do të marrin fund pritjet nëpër sportele sepse shërbimet do të bëhen online.

Ndër të tjera, Rama sqaroi se çdo person që e zgjidh problemin përmes e-albania bën të mundur që të identifikohen problemet në administratë dhe të ndahet i njomi nga i thati. Qëllimi i ligjit theksoi është që të bjerë përgjegjësia mbi çdo mospërgjigje dhe të marrë fund “terrori i ryshfetit, arrogancës dhe vulgaritetit.”

Rama: Sot ne jemi në kushtet e këtij kapërcimi. E njëjta radhë për të njëjtin problem, një numër i caktuar grash, njëra ndahet nga radha, i drejtohet e-albanias dhe zgjidh problemin. Të tjerat rrinë në radhë dhe nuk e di a e kanë zgjidhur problemin apo jo. Ata që zgjidhin problemin e tyre ndihmojnë që të identifikohen problemet në administratë dhe të ndahet i njomi nga i thati. Është me një mirësi të dyfishtë, prandaj vendosëm ta bëjmë ligj që edhe përgjegjësia të jetë e drejtpërdrejtë për çdo mospërgjigje.

Arsyeja e mbylljes së sporteleve që do ta shtrijmë në të gjitha qarqet bashkë me drejtuesit e institucioneve është për t’ju thënë që nuk kemi më nevojë për sportele, janë mortja e këtij vendi,. Të gjithë njëherë në jetë e kanë përballuar një sportel. Sot jemi në kushtet kur mund të bëjmë pa sportele. Jemi në kushtet kur mund të bëjmë transformim të madh shpirtëror në jetën e këtij vendi duke lehtësuar shpirtin e njerëzve nga terrori i ryshfetit, i arrogancës, i vulgaritetit të atyre që turpërojnë shtetin tonë dhe janë pjesë bashkëshoqëruese e një historie të gjatë ndryshimi kudo, jo vetëm në Shqipëri. Nuk do të ketë më nevojë qytetari shqiptar të njohë asnjeri që jep shërbime për gjithçka që ka të bëjë me dokumente.

Top Channel