Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të enjte ka akuzuar se drejtues të lartë të vendit ‘janë pjesë e përgjimeve të antimafias”. Ai tha se kullat e larta në Tiranë “janë pastrim parash”. Për të, sektori i ndërtimit gjatë periudhës së pandemisë ka pësuar një rritje të pashpjegueshme.

Ai deklaroi se për tre vjet në Shqipëri janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro, duke nënvizuar më tej se nuk e luftojnë dot pastrimin e parave ata që janë kapur në përgjimet e antimafias italiane në bashkëpunim me Ndraghetan dhe Cosa Nostran.

Të gjithë ata që e njohin mirë realitetin e përditshëm të Shqipërisë, qofshin shqiptarë apo të huaj, ata e që kanë parë e shohin përditë se si gjatë sundimit të kësaj pseudo-mazhorance, institucionet u gangsterizuan, llumi i shoqërisë u fut lirshëm në parlament e bashki, krimi i organizuar ka sekserët e tij në nivelet më të larta të qeverisë, në mendjet e të gjithëve”, tha Basha.

Ai tha se vendi ynë është renditur nga MONEYVAL, struktura e përhershme e Këshillit të Europës, në listen gri të vendeve me probleme të mëdha në luftën kundër pastrimit të parave. Sipas tij, referuar Indeksit të Bazelit, këtë vit rreziku për pastrim parash është rritur në vendin tonë, duke humbur 28 vende në krahasim me vitin e shkuar, më të rrezikuarit në Rajon dhe Europë.

Ndërsa sipas Departamentit Amerikan të Shtetit “Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare”.

Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”, tha ai.

Basha mendon se është pikërisht kjo shumë e madhe parash që mban në këmbë gjithë ekosistemin ku gjallon krimi dhe korrupsioni, ku sipas tij ndërthuren interesat e politikanëe të korruptuar, oligarkëve të panginjur me botën e krimit.

Ai thekson se pikërisht ky ekosistem e ka shndërruar vendin në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave, e cila nuk dëmton vetëm ekonominë, por edhe trashëgiminë, kujtesën historike dhe hapësirën publike.

Në fjalën e tij, Basha foli edhe për kodin e heshtjes, ku pavarësisht çmimit dhe masakrës urbane që po kryhet në vend askush nga institucionet përkatëse shqiptare nuk flet.

Kjo omertà po prodhon një ekonomi të droguar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që prodhon një rritje fiktive në letër, pa vende pune, pa fuqi blerëse, pa mirëqenie përveç mishngrënësve të Nusretit dhe kryeminstrit me avion privat qeveritar e një grushti oligarkësh”, tha ai.

Basha theksoi se qeveria i lejon parat pista të investohen, ndërsa SPAK dhe institucionet e tjera i legjitimojnë me hetime që nisin e kurrë nuk përfundojnë.

Top Channel