Thaçit i kundërshtohet lirimi me kusht: S`ka dritë jeshile as për të tjerët!

01/12/2021 13:01

Gjykata Speciale ka refuzuar garancinë e Policisë së Kosovë për lirimin me kusht të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në burgun e Sheveningenit, në Hagë.

Njëra nga arsyet që e paraqitura nga kjo gjykatë për refuzimin në fjalë lidhet me ndërhyrjen në procesin gjyqësor në Kosovë, ku u shfaqën edhe akuza se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë, për të dhënë dëshmi të fabrikuara. Një arsye tjetër është, gjoja pasiguria dhe frika e dëshmitarëve të mbrojtur, thonë mediat në Kosovë.

“Dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast”, theksohet në dokumentet e Gjykatës Speciale. Avokati mbrojtës i Thaçit sakaq ka rreshtuar një sërë argumentesh që sipas tij, Gjyqtari i Procedurës Paraprake duhet t’i marr parasysh për ta lejuar Thaçit të qëndrojë në arrest shtëpie.

Ai përmend garancitë e dhëna nga Policia e Kosovës dhe garancitë e Qeverive të vendeve të treta, e nënvizon se nuk ka asnjë rrezik që klienti të tij të tentojë të largohet, të bëjë përpjekje për të penguar procedurat e Gjykatës, apo “të kryejë ndonjë vepër tjetër penale”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes një shkrese drejtuar gjykatës, ka kundërshtuar po ashtu dhe lirimin e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga paraburgimi, ku ndër të tjera thotë se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara.

Top Channel