Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani emëroi Bashkim Jasharin, nipin e komandantit legjendar, Adem Jashari, në krye të ushtrisë së Kosovës, pas propozimit të bërë nga ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj dhe rekomandimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Jashari do ta zëvendësojë në këtë post komandantin e deritashëm, Rrahman Rama, i cili thuhet të ketë dhënë dorëheqjen. Emërimi i Jasharit ka nervozuar Serbinë. Profesor doktor Enver Bytyci thotë se në Beograd duken të shqetësuar nga kjo lëvizje e presidentes Osmani. “Pas buxhetit prej 100 milion euro për ushtrinë, ky vendim jep dëshmi të seriozitetit që ka qeveria e sotme për ta mbrojtur Kosovën nga ndonjë provokim dhe agresion të Serbisë. Këto janë sinjale për Beogradin”, shprehet Bytyçi.
Ai megjithatë i bën thirrje kryeministrit të mos ndalet vetëm me këtë emërim dhe argumenton se nevojitet mbështetje e plotë për gjithçka, me qëllim që Forcat e Sigurisë dhe ushtria e Kosovës të shndërrohen në aset dhe garanci të pakontestueshme për vendin. “Jam i sigurt se dëshira dhe pasioni në FSK e Ushtri janë në shkallën maksimale.
Thjesht ato duhen mbështetur financiarisht dhe moralisht nga qeveria dhe institucionet e vendit, me qëllim që kjo ushtri të konkurrojë në ushtritë moderne të NATO-s! Pra të prodhojë stabilitet, paqe e siguri jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, shprehet ai.
Top Channel