Ministria e Jashtme e Rusisë ka urdhëruar zyrtarët e ambasadës amerikane të cilët kanë jetuar mbi tre vjet në Moskë se duhet të largohen nga Rusia deri me datë 31 janar.
Lajmi u publikua këtë të mërkurë nga agjencia ruse e lajmeve Novosti, ku përmes një artikulli theksohet se kjo masë ka ardhur pas vendimit të SHBA-së për të dëbuar nga vendi 27 diplomatë rusë, së bashku me familjet e tyre deri me datë 30 janar.
Ambasada amerikane në Moskë ende nuk ka reaguar në lidhje me këtë vendim.
Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara tha më herët se 27 diplomatë rusë dhe anëtarë të familjeve të tyre janë dëbuar nga Shtetet e Bashkuara dhe do të largohen nga vendi me datë 30 janar.
“Diplomatët tanë po dëbohen. Ne po përballemi me një mungesë serioze të stafit”, tha të shtunën në mbrëmje ambasadori Anatoly Antonov në një intervistë për Soloviev, një kanal në Youtube.
Rusia ka deklaruar më parë se mbi 100 diplomatë të saj dhe anëtarë të familjeve të tyre ishin detyruar të largoheshin nga Shtetet e Bashkuara që nga viti 2016 kur marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan.
Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova, që prej 29 tetorit, rreth 200 diplomatë rusë vazhdojnë ende të punojnë në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë këtu edhe stafin e misionit rus në Kombet e Bashkuara.
Top Channel