Mblidhet NATO, tregon forcën: Ballkani të përfshihet në konceptin strategjik të aleancës

01/12/2021 11:57

Ministrat e Jashtëm të NATO-s janë mbledhur në Riga të Letonisë për të diskutuar mbi krizat aktuale e sfidat në politikën e jashtme e të mbrojtjes.

Qershorin e këtij viti, në takimin e Brukselit, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtarë të aleancës kërkuan hartimin e një Koncepti të ri Strategjik të saj, një prej dokumenteve kyçe për organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior. Ai duhet përditësuar, sepse mjedisi i sigurisë ka ndryshuar shumë që prej adoptimit të këtij koncepti ne 2010-tën. Dokumenti i ri pritet të miratohet në samitin e NATO-s në Madridit, verën e vitit 2022.

Ministrja e jashtme Olta Xhacka, e cila mori pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut, kërkoi që në konceptin e ri strategjik të aleancës, të përfshihët dhe Ballkani perëndimor.

Olta Xhacka, ministre e jashtme: Rajoni i detyrohet shumë ndërhyrjes së NATO-s. Por sot, ka ardhur kohë që të shkohet një hap më përpara, duke e çuar Ballkanin Perëndimor në Konceptin Strategjik 2022, duke çuar njëkohësisht një sinjal të fortë kundër të gjithë atyre fuqive që po përpiqen të sabotojnë integrimin euroatlantik, duke nxitur ndasi e destabilitet përmes taktikave hibride.

Ndërkohë BE po përgatit doktrinën e mbrojtjes që pritet të prezantohet në pranverë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen përcaktoi para dy vjetësh drejtimin: “Europa duhet të mësojë edhe gjuhën e pushtetit” e të ketë vetëbesim përballë shteteve si Kina, por edhe SHBA. Draftin e parë e prezantoi së fundmi kryediplomati europian, Josep Borrell para 27 vendeve anëtare.

“Europa është në rrezik”, paralajmëron Borrell. BE nuk mund të ketë luksin të jetë spektatore në një botë ekstremisht të orientuar nga konkurrenca.

Top Channel