Euro zbret në 121.1 lekë/ Ekspertët: Shkak i rënies janë prurjet e mëdha të valutës nga jashtë

01/12/2021 15:13

Euro është zhvlerësuar më tej këtë fillim dhjetori në tregun e këmbimit valuator vendas.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë monedha europiane këmbehet për 121.1 lekë, duke ndjekur një tendencë rënëse të vazhdueshme që prej fillimit të nëntorit kur këmbehej për 122.7 lekë. Në raport me një vit më parë, ka shënuar rënie me 2.7 lekë.

Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se mbi çmimin i lekut ndaj euros lidhet kryesisht me faktorët sezonale si rrjedhojë e prurjeve të larta në valutë nga emigrantët si dhe nga faktorëve të jashtëm.

“Ka dy faktorë ndikues. Një faktor që lidhet me pozicionin e euros në tregjet ndërkombëtare sidomos në lidhje me dollarin ku ka të paktën 2-3 muaj që lidhet me ndryshimin e politikës monetare të Bankës qendrore amerikane. Faktori tjetër ka të bëjë me raportin kërkesë –ofertë në treg të monedhave. Ne nuk kemi pasur muajt e fundit të shtimit të masës monetare në lekë ndërkohë që masa monetare në euro ka qenë vazhdimisht e madhe si nga faktorët formalë ashtu edhe nga ato informalë. Po të shtojmë këtu edhe tendencën tradicionale të forcimit relativ të lekut si pasojë e faktorëve sezonalë nga festat e fundvitit. Edhe në javët në vazhdim kjo tendencë e një euro të dobët do vazhdojë”, tha Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

Sipas ekspertit Adrian Civici veç faktorëve sezonalë ndikim në zhvlerësimin e mëtejshëm të monedhës europiane do të japë edhe marrja e eurobondit prej 650 milionë euro.

“Eurobondi dhe investime të tjera në euro që hyjnë në ekonomi natyrisht janë një faktor më shumë për shtimin e masës së euros dhe një element presioni sa i përket kursit të këmbimit, në këtë rast për një dobësim të euros dhe forcim të lekut”, shprehet Adrian Civici.

Sipas Civicit euro pritet të mbyllë vitin në nivelet ndërmjet 119 dhe 121 lekëve teksa dobësimi i monedhës europiane kundrejt lekut pritet të vijojë të paktën deri në mesin e muajit janar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA