Gjykata e Apelit në Selanik ka dënuar 12 gardianët e burgut të Nigritës të implikuar në vdekjen e të burgosurit shqiptar Ilia Kareli në marsin e vitit 2014 me tre deri në pesë vjet burg – me pezullim për tre vjet .

Pas një seance të gjatë, ku çështja u gjykua në shkallë të dytë, trupi gjykues ka shpallur fajtore gardianët vetëm me akuzën se kanë shkaktuar torturë me dëmtim trupor, në shkallën e një vepre penale në formën një akti te thjeshte.

Stefanos Kalajtzidhis avokat mbrojtës i tre prej gardianëve: Është dhënë drejtësia. Gjykata ka pranuar në një shkallë të madhe pretendimet tona dhe prandaj ka vendosur të japë dënime nga 3-5 vjet për të gjithë të akuzuarit, duke fshirë përfundimisht edhe rastet që rëndojnë mbi ta si dhe akuzën për vdekjen e të burgosurit në kurriz të të akuzuarve. Gjykata vendosi dënime të lehta të cilat përfundimisht u pezulluan dhe të akuzuarit janë të lirë në shoqërinë greke, mund të vazhdojnë veprimtarinë e tyre dhe jetën e tyre.

Sipas vendimit të Gjykatës së shkallës së parë të Selanikut në tetorin e vitit 2016 vdekja e Ilia Karelit nuk erdhi nga torturat e pësuara në burgun e Nigritës, por nga një infarkt në zemër që kishte nisur që në institucionin penitenciar të Malandrinos.

6 nga 14 rojet e akuzuar, u dënuan atëherë 5 vjet me kusht për tortura, sërish në shkallën e veprës penale , pra me rrethanë rënduese në kryerjen e këtij akti, 3 të tjerë 6 vjet me kusht dhe 3 të fundit me shtatë vjet burg me kusht, ndërsa dy ishin cilësuar të pafajshëm , midis tyre edhe drejtori i burgut .

Tashme vendimi i gjykatës së shkallës së dytë ul dënimet nga 5 deri në 7 vjet në 3, 4 dhe 5 vjet burgim me pezullim. Kostas Milios avokat i tre gardianëve të tjerë: Vendimi i gjykatës ishte i qartë pas seancave disa ditore, ishte një vendim që pjesërisht na dha të drejtë.

Sipas aktakuzës, gardianet e burgut të Nigritës kanë vepruar për të “ndëshkuar” të burgosurin 42-vjeçar, sepse ai kishte vrarë kolegun e tyre Jorgos Tsironis, në burgun e Malandrinos, por që në gjyqin e shkallës së parë është shkëputur akti i vdekjes nga torturat dhe tashmë në gjyqin e shkallës së dytë dënimet për ta janë ulur edhe më shumë.

Top Channel