Bashkimi Europian i ka bërë thirrje Serbisë të rishqyrtojë vendimin e saj për refuzimin e vizitës së katër ministrave të Kosovës në Luginën e Preshevës.
Beogradi nuk ka dhënë ende asnjë arsye për këtë refuzim. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano e theksoi qartë se jo vetëm Prishtina, por edhe Beogradi duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më herët për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne presim që Serbia dhe Kosova t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e së kaluarës, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen për vizitat zyrtare. Vizitat zyrtare janë një pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve pasi ofrojnë një mundësi për më shumë ndërveprim dhe komunikim mes palëve”, tha Stano.
“Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojnë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian”, shtoi ai.
Zëdhënësi kujtoi se vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në përputhje me marrëveshjen dhe normalisht, duhet të ishte lejuar. Ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Liburn Aliu, njoftoi të shtunën se kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u refuzua dhe në përgjigjen negative të zyrës ndërlidhëse në Beograd, nuk jepej asnjë arsye për këtë refuzim.
Top Channel