Presidenti i Republikës, Ilir Meta të martën përshëndeti qëndrimin e Bullgarisë, që propozon nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Reagimi i Presidentit Meta, vjen pas qëndrimit të ambasadorit bullgar në Bashkimin Evropian, Rumen Aleksandrov, i cili tha se Shqipëria duhet të vlerësohet e pavarur nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, Meta thotë se përparimi i secilit vend në bazë të meritave individuale ka qenë një nga parimet kyç të miratuara në Samitin e Selanikut në vitin 2003.
Kreu i shtetit thekson gjithashtu se do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë çdo hap, që e çon vendin drejt anëtarësimit evropian.
“Mbetem gjithashtu me bindjen e plotë se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të jashtëzakonshëm qoftë me zbatimin e reformave, qoftë me arritjen e një Marrëveshjeje historike si ajo e Prespës“, thotë kreu i shtetit në një deklaratë.
Në shënimin e tij Presidenti Meta përshëndet qëndrimin dinjitoz të autoriteteve maqedonase për të vijuar të palëkundur në kursin pro-europian të reformave, duke theksuar se një qëndrim i tillë i shërben qytetarëve dhe aspiratës për anëtarësim në BE.
Përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është bllokuar për shkak të vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.
Po ashtu, Bullgaria ka qenë nën presionin ndërkombëtar për të zhbllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Edhe senatorët e SHBA Klaudia Tenney dhe Uilliam R. Keating, të dy anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkuan Sofjes të gjente një kompromis dhe të zgjidhte situatën.
Në një letër drejtuar ambasadorit të Bullgarisë në Uashington, Tihomir Stoytchev, ata shkruanin se bllokimi i mëtejshëm i procesit do të hapte derën për ndikim më të fortë rus dhe kinez në rajon.
Top Channel