“Kur cenon interesin personal shpik…”/ Basha ironizon akuzat e Berishës, ja kur duhet të japë dorëheqjen pa kthim kryetari i partisë

30/11/2021 21:04

Vetëm pak ditë na ndajnë nga Kuvendi Kombëtar, për të cilin kryetari i PD, Lulzim Basha ka njoftuar se do të mbahet më 18 Dhjetor. Ditën e sotme, Basha ka folur në lidhje me deklaratat e Berishës, i cili thuajse në çdo takim me demokratët ka thënë se i ka kërkuar dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2017.

Basha e mohoi këtë dhe ironizoi akuzat e Berishës duke thënë se nëse duhet të marrë fund kultura që nëse je krah tij, të cilëson si më të mirin, por nëse cenon interesin personal, shpik një gjë të re.

“Nuk është i vërtetë si shumica për fat të keq i gjërave dhe në kuadër të asaj që ju thashë është mentaliteti i vjetër, mentaliteti i regjimit që kemi lënë pas dhe pastaj i kundër reagimit. E rëndësishme është që ti përcjellim diçka tjetër qytetarëve. Kjo kulturë duhet të marrë fund ne jemi bashkë, kalojmë mirë deri në momentin që ti apo unë vërej diçka dhe pastaj shpik gjëra të paqena, kjo është pjesë e kulturës Bolshevike, kjo duhet të marrë fund. Detyra ime jo vetëm si kryetar i opozitës por dhe si brez i ri në politikë është , kur flas për fundin e tranzicionit flas për fundin e kësaj kulture, sa kohë të kam në krahë je më i miri sa kohë të kam në krah Edi Ramës i duhen tre jetë për të bërë atë që ka bërë Lulzim Basha, në momentin që më cenon interesin tim personal shpik një gjë të re çdo ditë”, tha Basha.

Basha foli edhe për ndryshimet që mund të bëhen në statut, më konkretisht dorëheqjen e kryetarit në momentin që humbet zgjedhjet duke thënë: “Unë personalisht jam i bindur që një kryetar që jep dorëheqjen nuk duhet të garojë më sepse fakti që ai ka dhenë dorëheqjen do të thotë se ai e ndjen. Dorëheqja nuk është një fjalë gojë, dorëheqja për të ikur dhe për tu rikthyer prap është një akt mashtrimi publik”.

Basha sqaroi se statutin e vendos Kuvendi. “Kuvendi ka vendosur që mos të jetë në statut për arsye që mund ti debatojmë dhe që veçanërisht në një kontekst si ky janë të qarta sepse eksizton mundësia dhe po ju them arsyet se pse shume parti të partisë popullore nuk e kanë në statut sepse ekziston mundësia që të faksionizohet partia dhe në vend që të luftohet për pushtet të luftohet për të hequr kryetarin e radhës”, theksoi kreu i PD.

Sa i përket humbjes si kryetar i partisë për të dhënë dorëheqjen pa kthim, Basha tha se kjo gjë ndodh vetëm me një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Top Channel