Bora e parë/ Zbardhet veriu dhe juglindja e vendit, ja akset problematike për të qarkulluar

30/11/2021 11:17

Dimri ka mbërritur dhe bora e parë ka zbardhur qytetet juglindore dhe veriore të vendit.

Nuk raportohet ende për fshatra të izoluar, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar udhëzon drejtuesit e mjeteve të lëvizin me zinxhirë në zonat ku ka rënë borë, ndërsa prezente janë dhe ngricat për shkak të temperaturave të ulëta.

Korça është zgjuar e zbardhur këtë mëngjes, teksa reshjet e dëborës kanë vazhduar gjatë gjithë natës.

Trashësia në Dardhë ka arritur në 30 cm, prej km të 7 e në vazhdim. Qarkullimi bëhet me zinxhirë. Ndërsa në Voskopojë, bora deri në 10 cm.

Mbrëmjen e djeshme 4 mjete janë bllokuar në afërsi të Voskopojës por ndërhyrja e borëpastrueses dhe ndihma e qytetarëve me mjete të larta kanë hapur qarkullimin. Të gjitha akset nacionale janë të hapura e të qarkullueshme pa probleme.

Qafë Thanë raportohet për ngrica në rrugë, kështu që shoferët këshillohen të lëvizin me zinxhirë.

Pukë, gjatë orëve të para të mëngjesit janë pastruar segmentet rrugore të Qelzës dhe Qerretit. Drejtuesve të mjeteve iu këshillohet të evitojnë lëvizjet nëse nuk kanë goma dimërore për shkak të rrëshqitjeve. Në zonat e thella malore të Pukës raportohet për disa centimetër borë teksa nuk ka fshatra të bllokuar.

Ndërkohë nga Vermoshi vijnë pamjet e bukura të natyrës, ku pemët dhe shtëpitë prej druri janë mbuluar nga flokët e dëborës.

Reshjet e dëborës në Bulqizë janë shoqëruar me ulje të temperaturave dhe erë të fortë. Aktualisht aksi Bulqizë- Peshkopi është i kalueshëm pa zinxhir.

Edhe në Bulqizë-Milot kalohet pa zinxhir. Në Bulqizë-Krastë kërkohet zinxhir në disa segmente për shkak të terrenit të vështirë. Rrugët rurale të njësive Ostren, Martanesh, Trebisht, Zerqan, Shupenz, Fushë Bulqizë duhet të kalohen me zinxhir.

Ndërkohë trashësia e dëborës në njësitë administrative vijon nga 15 cm deri në 25 cm, ndërsa në qytet trashësia e dëborës 10 cm. Për momentin, nuk raportohet për fshatra te bllokuar.

Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë qarkun e Dibrës në orët pas mesnatës.

Bora me intensitet të lartë ka arritur trashësinë 15 cm në qytetin e Peshkopisë ndërsa në zonat e thella, në lartësi mbi 800 metra trashësia shkon deri në 35-40 cm. Situata rrugore është më problematike në rrugët e brendshme të qytetit të Peshkopisë, ku rrugët nuk janë pastruar, dhe lëvizin me vështirësi vetëm mjete të larta(foristrada). Në rrugë nuk ka dalë asnjë mjet borëpastrues.

Rruga Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalohet me vështirësi me zinxhirë. Peshkopi-Draj Reç-Kukës kalimi i vështirë deri në Zall Reç më tej drejt Ujmishtit e bllokuar. Zonat e thella si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës fshatrat e Sllovës, Reçit, Luznisë janë pa komunikim me qytetin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA