Urimi me diktatorin Hoxha, Çelaj nuk pendohet/ Alibeaj: Të merren masa. Balla: Po bëjmë verifikime për deputetin

29/11/2021 14:27

Nënkryetari, Enkeled Alibeaj këtë të hënë deklaroi se Partia Demokratike do t’i kërkojë Këshillit të Etikës marrjen e masave ndaj deputetit socialist Bujar Çela, i cili uroi ditën e Pavarësisë me foton e diktatorit Enver Hoxha mbi flamurin kombëtar.

Në një deklaratë për mediat, Alibeaj tha se PD do të paraqesë një paketë të plotë ligjore për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, pasi sipas tij ende nuk është arritur ndonjë rezultat konkret dhe i prekshëm.

Në këtë situatë në emër edhe të kolegëve deputetë, në emër edhe pozicionit që kam si nënkryetar i Partisë Demokratike, do të kërkojmë në Këshillin e Etikës së Parlament, marrjen e masave ndaj deputetit në fjalë. Si një reagim , detyrim moral më tepër dhe një reagim i domosdoshëm.  Por përveç kësaj ajo çfarë unë dhe  kolegët e mi i kemi propozuar kryetarit të partisë është që Partia Demokratike të paraqesë një paketë të plotë ligjore që fokuson atë që thashë pak më parë, dekumunistizimin e shoqërisë shqiptare. Në këto 30 vite të gjata tranzicion apo të stërzgjatur janë bërë shumë përpjekje në fakt drejtuar  drejt dekomuniztizimit, fatkeqësisht jemi në këtë situatë që nuk  është arritur në një rezultat konkret dhe të prekshëm teksa një ligjvënës tashmë ndodh që të bëjë hosana dhe të thurë lavde ndaj figurës së diktatorit.  Për këtë arsye një paketë ligjore e cila do të fokusojë më së pari pikërisht dekomunistizimin”, tha nënkryetari i PD-së.

Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar më herët se do të bëhen të gjitha verifiikimet e nevojshme për deputetin Çela dhe më pas do të vendoset nëse do të merret masë disiplinore ndaj tij.

Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar të PS dhe Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të bëhet verifikime”, u shpreh Balla, pas nderimeve që i bëri në varrezat e Fierit, dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare.

Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, nga Lushnja i ka dalë sërish në mbrojtje diktatorit Enver Hoxha, pasi dje uroi festat kombëtare me foton e tij në grupin e Ëhatsapp të Komisionit të Ligjeve .

Sipas deputetit socialist, diktatori Enver Hoxha ka kontribut të madh, dhe është bërë padrejtësisht armik.

Jemi mësuar t’i themi muaji i festave të nëntorit. Disa festa i festojmë, disa të tjera i kemi harruar. Por në themel të kujtesës tonë kanë ngelur 3 festa, 27 nëntori që është ngritja e flamurit në Lushnjë, 28 nëntori ngritja e flamurit në Vlorë dhe 29 nëntori dita e çlirimit të atdheut. Është festa më e madhe pa të cilën, Shqipëria nuk do të ishte si kjo Shqipëri që kemi sot. Mendoj se figura e Enver Hoxhës nuk mund të quhet nul. Ka edhe ai kontributin e tij përderisa ne nuk kemi nxjerrë ndonjë udhëheqës tjetër. Nëse ka ndonjë udhëheqës tjetër le të shprehet se historianët janë aty. Shumë herë kemi bërë padrejtësisht armiq dhe kriminela dhe këto fakte janë nga më të ndryshmet, që nga balli kombëtar dhe Legaliteti, të cilët nga armiq më pas u rreshtuan në krahun e fituesve“, tha ai.

Ai  nuk hezitoi të sulmonte demokratët, duke theksuar se në atë komision ka edhe nipër të Isa Toskës.

Në atë komision ka edhe njerëz që janë nipër të Isa Toskës, unë nuk jam nipi i Enver Hoxhës, por në jam si të gjithë shqiptarët që s’mund ta harroj historinë nga i cili kemi ardhur ne si komb”, tha Çela.

Por nga ana tjetër, kolegët e tij nga PS, i dolën në mbrojtje duke thënë se Çelës i kishte humbur telefoni, e megjithatë deputeti Bujar Çela i qëndron mesazhit që dërgoi në grupin e punës me kolegët.

Top Channel