Teuta prezantoi sot trajnerin e ri të skuadrës Renato Arapin.
Ish-futbollisti i durrsakëve, tashmë do të nisë një aventurë të re në karrierë, ndërsa në konferencën për shtyp ka 35-vjeçari theksuar se ai i njeh mirë lojtarët duke qenë se ka luajtuyr me ta, ndërsa zbulon edhe bisedën me Edi Martinin.
“Më erdhi pak surprizë se nuk e kisha menduar, por është përgjegjësi. Falenderoj presidentin për besimin, është përgjegjësi se ekipi vjen nga titulli dhe në katër ndeshjet e fundit rezultatet nuk kanë qenë të duhurat, pavarësisht lojës. Shpresoj të ndryshoj pak gjëra se nuk ka edhe shumë kohë, shpresoj t’i marrim maksimumin ndeshjes së radhës.
Është një plus që shumë lojtarë i kam pasur shokë skuadre, i njoh lojtarët edhe nga këmba por edhe nga koka. Jam i bindur se edhe ata do të më suportojnë. Koha është e shkurtër, por ajo që do të synoj këtë javë është ana psikologjike për t’i rikthyer besimin.
Kemi bërë ndeshje të mira, edhe me Partizanin në fund kapitulluan, por vjen nga lodhja. Ka diferencë pikësh se jemi tetë pikë mbrapa vendit të parë, por edhe nga kampionati i vjetshëm ishim 11 pikë mbrapa dhe fituam. Është e vështirë, por me kontigjentin që kemi do të provojmë se ekipi është ndërtuar për të fituar.
Diçka që nuk të ka pëlqyer? Është pjesa e golave të pësuar, por kjo vjen edhe prej ndryshimeve në mbrojtje. Kemi shënuar thuajse çdo ndeshje, por kemi pësuar.
Ndeshjet jashtë fushe? Ky është një problem më vete dhe e dinim. Është një minus, por në Elbasan kanë qenë ndeshje të mira. Është ndeshja e parë që jemi mundur aty dhe nuk do të përbëjë problem.
Kartonat e shumtë? Është një porosi edhe nga presidenti sepse shumë kartona janë marrë për protesta dhe një ekipi kampion nuk i shkon për shtat. Pastaj kartonat janë në lidhje me lojën, kemi lojtarë në mesfushë agresivë dhe është e pritshme.
Ekipi është ndërtuar për vendet e para, pavarësisht se deri në këtë moment gjërat nuk shkuan siç e prisnim. Por, duke shtuar vetëbesimin do të jemi në vendet e para. Por ka ekipe që kanë investuar, mos të harrojmë Dinamon apo edhe Eganatian. Komunikim me Martinin? Kemi pasur marrëdhënie të ngushtë, edhe kur isha futbollist. Martini më ka dhënë sugjerimet e tij dhe e falenderoj për bashkëpunimin. Fjalët më të mira për të se është trajneri më i suksesshëm”, u shpreh Arapi./ Supersport
Top Channel