Një fëmijë 12 vjeç humbi jetën pasi banesa e saj në fshatin Dervician të Dropullit u përfshi nga flakët.

Zjarri aksidental mendohet të jetë shkaktuar nga një qiri që ishte ndezur për ndriçim pasi e gjithë zona kishte rreth 20 orë pa energji elektrike.

Ekipet e zjarrfikësve kanë mbërritur pasi kanë marrë sinjalizime nga banorët por nuk kanë arritur ta shmangin tragjedinë. Për shkak të reshjeve dhe errësirës zjarri është vënë re me vonesë. Babai i vajzës 49 vjeçari Irakli Ndrico është përpjekur ta shpëtojë vajzën por nuk ka mundur pasi banesa ka marrë zjarr shumë shpejt.

Komandanti i operacionit tha se vajza e mitur u gjend e asfiksuar pranë tualetit të banesës në katin e parë dhe është transportuar menjëherë për në spital por ka humbur jetën pak minuta pas mbërritjes atje.

Babai i vajzës ka dëmtime të lehta dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Mendohet se vajza edhe për shkak të autizmit mund të ketë pësuar një krizë paniku që nuk e ka menaxhuar dot. Është duke u hetuar nëse vetë ajo e ka shkaktuar zjarrin nga pakujdesia. Familja Ndrico ishte e njohur për përpjekjet e saj në trajtimin e së miturës. Vitin e kaluar prindërit e Krisanthit 12 vjeç kanë folur publikisht në Top Channel për vështirësitë që pandemia dhe izolimi po shkaktonin për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ky është rasti i dytë në krye të dy javëve i një zjarri në banesë me viktima në zonën e Dropullit. Në të dy rastet fatkeqsive i ka paraprirë mungesa e energjisë elektrike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA