Britania, Gjermania, Italia dhe Hollanda zbuluan raste të variantit të ri të koronavirusit Omicron të shtunën dhe kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi masa të reja për të frenuar virusin, ndërsa numri i vendeve që po vendosin kufizime për udhëtimet nga Afrika jugore, po rritet.
Zbulimi i variantit Omicron ka ngjallur shqetësim në gjithë botën, një valë ndalimesh apo kufizimesh në udhëtime dhe një rënie të vlerës së aksioneve në tregjet financiare të premten mes frikës se Omicron mund të pengojë rimëkëmbjen globale nga pandemia gati dyvjeçare.
Dy rastet e variantit të ri të zbuluar në Britani ishin të lidhura me udhëtime në Afrikën jugore, tha Sekretari britanik i shëndetësisë Sajid Javid.
Kryeministri Johnson paraqiti masa parandaluese mes së cilave rregulla më të rrepta testimi për personat që mbërrijnë në Britani, por ato nuk përfshinin kufizime në aktivitetin shoqëror, përveç detyrimit për të mbajtur maskën në disa mjedise.
“Ne do të kërkojmë nga cilido që hyn në Britani të bëjë një test PCR deri në fund të ditës së dytë pas mbërritjes dhe të izolohet derisa të marrë një rezultat negativ,” tha zoti Johnson në një konferencë shtypi.
Personat që kanë pasur kontakt me njerëz që rezultojnë pozitivë për një raste të dyshuara me Omicron duhet të izolohen për 10 ditë dhe qeveria ashpërsojë rregullat për mbajtjen e masjkës, tha zoti Johnson, duke shtuar se masat do të rishikohen pas tre javësh.
Ministria e shëndetësisë në shtetin gjerman të Bavarisë njoftoi gjithashtu për dy raste të konfirmuara të variantit. Dy personat kishin hyrë në Gjermani nga aeroporti i Mynihut më 24 nëntor, përpara se Gjermania ta përcaktonte Afrikën e Jugut si zonë nga ku e ka origjinën varianti i virusit dhe tani janë në izolim, tha ministria, duke lënë të kuptohej se personat kishin udhëtuar nga Afrika e Jugut.
Në Itali, Instituti Kombëtar i Shëndetit tha se një rast i variantit të ri ishte zbuluar në Milano tek një person që vinte nga Mozambiku.
Autoritetet shëndetësore çeke thanë gjithashtu se po shqyrtonin një rast të dyshuar të variantit tek një person që kishte qenë në Namibi.
Omicron, i quajtur një “variant shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duket të jetë më ngjitës sesa variantet e mëparshme të sëmundjes, megjithëse ekspertët nuk e dinë ende nëse do të shkaktojë raste më të rënda me COVID-19 në krahasim me variantet e tjera.
Zyrtari më i Lartë i Mjekësisë në Britani, Chris Witty, tha në konferencën për shtyp të kryeministrit Johnson se kishte ende shumë pasiguri rreth variantit Omicron, por se “ka gjasa të arsyeshme që varianti i ri mund t’i shpëtojë efektit të vaksinës.”
Varianti u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe më pas ishte identifikuar edhe në Belgjikë, Botsvanë, Izrael dhe Hong Kong.
Rastet e Amsterdamit
Autoritetet e shëndetësisë në Holandë thanë të shtunën se disa nga 61 rastet me COVID-19 të zbuluara mes një grupi pasagjerësh që mbërritën në Holandë nga Afrika e Jugut këtë javë, ka të ngjarë të jenë me variantin Omicron.
“Tek një numër personash të testuar, besohet se është gjetur varianti Omicron,” tha në një deklaratë Instituti Hollandez për Shëndetin.
Një zëdhënës i Institutit tha se ishte “pothuajse e sigurt” që rastet ishin të variantit të ri, por nevojiten testime të mëtejshme.
Rastet u zbuluan mes rreth 600 pasagjerëve që mbërritën në aeroportin Schiphol të Amsterdamit me dy avionë të premten përpara se qeveria holandeze të ndalonte trafikun ajror nga Afrika Jugore për shkak të shqetësimeve mbi variantin e ri.
Tregjet financiare patën humbje të mëdha të premten, veçanërisht aksione e linjave ajrore dhe të tjera në sektorin e udhëtimeve, pasi investitorët shqetësohen se varianti mund të shkaktojë një rëndim tjetër r të pandemisë. Çmimet e naftës ranë me rreth 10 dollarë për fuçi.
Shkencëtarëve mund t’u duhen javë që të kuptojnë plotësisht mutacionet e variantit dhe nëse vaksinat dhe trajtimet ekzistuese janë efektive kundër tij.
Kufizimet e udhëtimit
Megjithëse epidemiologët thonë se kufizimet e udhëtimit mund të jenë tepër vonë për të ndaluar Omicronin të qarkullojë globalisht, shumë vende në mbarë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Brazilin, Kanadanë dhe anëtarët e BE-së njoftuan ndalime ose kufizime udhëtimi për në Afrikën Jugore të premten.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit shtuan të shtunën kufizimet e udhëtimit të njoftuara më parë nga Uashingtoni, duke këshilluar kundër udhëtimit në tetë vende të Afrikës jugore.
Të shtunën, Australia tha se do të ndalojë hyrjen e joshtetasve që kanë qenë në nëntë vende të Afrikës jugore dhe do të kërkojë karantina të mbikëqyrura 14-ditore për qytetarët australianë që kthehen nga atje.
Japonia tha se do të zgjerojë kontrollet e saj kufitare në tre vende të tjera afrikane pasi vendosi kufizime në udhëtimet nga Afrika e Jugut, Botsvana, Esuatini, Zimbabve, Namibia dhe Lesoto të premten.
Britania tha gjithashtu se po zgjeronte “listën e saj të kuqe” për të vendosur kufizime udhëtimi në më shumë vende të Afrikës jugore, ndërsa Koreja e Jugut, Sri Lanka, Tajlanda, Omani, Kuvajti dhe Hungaria njoftuan kufizime të udhëtimit në vendet e Afrikës Jugore.
Afrika e Jugut është e shqetësuar se kufizimet do të dëmtojnë turizmin dhe sektorët e tjerë të ekonomisë së saj, tha të shtunën ministria e jashtme, duke shtuar se qeveria po angazhohet me vendet që kanë vendosur ndalime udhëtimi për t’i bindur ata t’i rishqyrtojnë vendimet.
Top Channel