Kryeministri taliban i Afganistanit ka mbajtur fjalimin e parë të tij publik që prej se grupi islamist mori pushtetin mbi tre muaj më parë.
Mullah Mohammad Hassan Akhund, bashkëthemelues i talibanëve, tha përmes një audio-incizimi më 27 se qeveria dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me shtetet e tjera dhe se do të zgjidhin problemet ekonomike.
“Ne i sigurojmë të gjitha shtetet se ne nuk do të ndërhyjmë në punët e tyre të brendshme dhe ne duam të kemi raporte të mira ekonomike me ta”, tha Akhund.
Talibanët erdhën në pushtet pasi morën kontrollin e Kabulit në mesin e muajit gusht, teksa forcat e huaja, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, u larguan nga shteti.
Akhund tha se talibanët kanë përmbushur zotimet e tyre që do të luftojnë me forcat e huaja derisa të krijohet një qeveri islamike.
Por, që prej se rrëzuan qeverinë e kaluar, talibanët kanë pasur vështirësi që të shndërrohen nga një lëvizje guerile në një administratë funksionale.
Afganistani po përballet me krizë të madhe financiare dhe me rritje të inflacionit, të papunësisë, rënies së vlerës së monedhës kombëtare. Kriza ekonomik është përkeqësuar pasi SHBA-ja ka ngrirë rreth 10 miliardë dollarë të rezervave të Bankës Qendrore afgane. Po ashtu, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndaluar qasjen e Afganistanit në fonde.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar për krizë të madhe humanitare dhe mbi gjysmën e popullsisë prej 38 milionë banorësh, pritet që gjatë dimrit të përballet me uri.
“U bëjmë thirrja organizatave humanitare ndërkombëtare të mos ndalojnë ndihmën e tyre dhe të ndihmojnë popullin tonë”, tha Akhund.
Ai tha se kriza ekonomike e Afganistanit do të zgjidhej nëse SHBA-ja mundëson që të merren fondet e Bankës Qendrore.
Akhund tha se afganët nuk duhet të besojnë se talibanët janë fajtorë për problemet ekonomike, por ato janë si pasojë e qeverisë së mëhershëm, që sipas tij, ishte e korruptuar.
Asnjë shtet nuk e ka njohur qeverinë e talibanëve. Qeveritë perëndimore po shikojnë mundësitë se si të komunikojnë me talibanët për të adresuar situatën humanitare.
Top Channel