Foto-video/ 28 Nëntori ‘pajton’ Ramën dhe Metën, mbahet ceremonia e ngritjes së Flamurit në Vlorë

28/11/2021 10:07

Festimet për ditën e Flamurit kanë bërë bashkë në Vlorë kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta. Ata kanë zhvilluar homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në monumentin e Pavarësisë.

E pranishme ishte dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, si dhe drejtues lokalë.

Disa aktivitete janë parashikuar të mbahen gjatë ditës së sotme me rastin e 28 nëntorit Ditës së Flamurit.

 

Pak Histori!

Shqipëria sot feston 109 – vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Ndërkohë 28 nëntori për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet si Dita e Flamuri. Ndërkohë një vit më parë për shkak të pandemisë dhe masave kufizuese në vendin tonë qenë të ndaluara festimet me grumbullime të shumta, ndërsa këtë vit ministria e brendshme vetëm dy ditë para festimeve ka bërë me dije se shqiptarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë pa asnjë pengesë.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA