Aktivitetet për Festën e Flamurit janë mbajtur këtë 28 Nëntor dhe në Gjermani.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Mynih dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart organizuan eventin, ku i pranishëm ishte edhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Të ftuarit u bënë pjesë e një program të shkurtër artistik që kulmoi me premierën e filmit “Zgjoi”.
“Ne kemi dy shtete shqiptare në rajon, Shqipërinë, vend anëtar të NATO-s dhe kandidat potencial për të hyrë në Bashkimin Europian. Si dhe Kosovën, e pavarur dhe sovrane, që pas luftës heroike të UÇK-së dhe mbështetjes së SHBA dhe aleatëve të tjerë perëndimorë, sot e kemi një vend demokratik, të njohur nga 117 vende të botës, nënshkruese të marrëveshjes së stabilizim-asocimit, e cila po ndjek me përpikmëri procesin dhe rrugën integruese për të qenë në të ardhmen një anëtare e denjë e familjes europiane,” tha kosnulli Arten Hanku.
“Politikanët duhet të bëjnë çmos që mos të shohin interesat e tyre, të shkëputur nga realiteti dhe nevoja e vetë popullit shqiptar. Pra, shumë vendime marrin, por këto vendime duhen realizuar dhe ne duhet t’u bëjmë presion e t’i kërkojmë llogari për këtë punë. Është turp dhe nuk është mirë që gazetarët tanë të flasin në gjuhë të ndryshme, nuk flas për dialektin, por për gjuhën e një kombi që duhet të ketë një gjuhë zyrtare si gjithë kombet e qytetëruara të Europës. Gjithashtu duhet të kemi drejtshkrimin e përbashkët. Unë për shembull, pavarësisht se kam lindur në Shkodër, me origjinë jam nga Kavaja. Prindërit e mi janë nga Kavaja. Por nuk vihen re në gjuhën time. Sepse unë flas shqipen, shqipen tonë që duhet ta përdorim të gjithë,” tha ish-presidenti Moisiu.
Pjesëmarrësit duartrokitën performancën e çiftit të artistëve, Gashi, kompozitorë e këngëtarë, si dhe interpretimin profesionist të aktorëve të filmit “Zgjoi”, të vlerësuar nga kritika.
Top Channel