Në Shkup, pritet të mbërrijnë dy të mbijetuarit e parë të tragjedisë së autobusit të djegur në një autostradë të Bullgarisë, ku humbën jetën mes flakëve 45 persona, shumica të rinj e fëmijë.

Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se pacientët që po vijnë janë një vajzë 17 vjeçare dhe një burrë më i madh në moshë.

Po presim të vijnë nga Bullgaria dy nga 7 pacientët që ishin të shtruar në spitalin “Pirogov”. Bisedova këtë mëngjes me drejtorin e spitalit, këta persona janë në gjendje të stabilizuar. Ata do të vendosen në një klinikë në Shkup. Kanë mbërritur dhe kolegët e psikiatrisë, për t’i ofruar mbështetjen e tyre të rëndësishme në këtë moment”, sqaroi Filipçe.

Kryeprokurori i republikës së Maqedonisë së Veriut, deklaroi sot se janë marrë në pyetje 8 persona e në ditët në vijim, do të pyeten edhe shumë të tjerë, por me qëllimin të mos dëmtohet procesi i hetimit, ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Prokurorët bullgarë sakaq thanë se në lupën e tyre është aktualisht përfaqësuesi i agjencisë “Besa Trans” .

Shtypi maqedonas thotë se autobusi i kësaj agjencie kaloi gati 140 herë kufirin pa dokumentacion të plotë dhe ka lëvizur pa patent, pavarësisht kontrolleve policore, doganore dhe inspektimeve.

Për këtë arsye, partia kryesore opozitare në Maqedoni, VMRO –DPMNE ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm maqedonas, Oliver Spasovski dhe ministrit të transporteve, Bllagoj Boçvarski.

Top Channel