Shqipëria dhe Kosova marrëveshje lehtësimi për njohjen e diplomave/ Kushi: E gjithë procedura brenda 20 ditësh

27/11/2021 09:19

Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje në fushën e Arsimit, për lehtësimin e proceduratëve dhe të shkurtimit të afateve për njohjen e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore ‘Doktor’ që jepen nga institucionet arsimore të dy vendeve.

Ky hap vjen si një domosdoshmëri mes dy vendeve, për të bërë që të rinjtë shqiptarë të diplomuar në Institucione të Larta Arsimore në Shqipëri ose Kosovë, të mos hasin vështirësi apo vonesa në njohjen e diplomave të tyre.

Sipas kësaj marrëveshjeje, brenda 14 ditësh i jepet përgjigje autenticitetit të diplomave dhe brenda 20 ditësh kryhet e gjithë procedura e njohjes dhe njehsimit të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore.

Kjo marrëveshje pa efekte financiare është hartuar dhe dakorduar në një kohën shumë të shkurtër, duke dëshmuar vullnetin e mirë të dy vendeve.

Ministrja Kushi theksoi se me të njëjtin angazhim dhe vullnet pritet që të nisë puna për abetaren unike të përbashkët.

“Një abetare e re e vendosur në kontekstin e ri kulturor, ekonomik dhe digjital, besoj do të jetë në dobi të të gjithë nxënësve tanë në të dyja vendet”, theksoi Kushi.

Ajo ka shprehur angazhim maksimal për të punuar për realizimin e projektit të abetares për vitin e ardhshëm.

Top Channel