Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij është gati për çfarëdo përshkallëzimi me Rusinë dhe shtoi se Kievi kishte informata rreth planit të Rusisë për organizimin e grusht shtetit në dhjetor, në të cilin do të përfshiheshin edhe qytetarë rusë.
Komentet e Zelenskyt më 26 nëntor, gjatë një konference për media në Kiev pasojnë nisjen e grumbullimit të mijëra trupave ruse në rajonet perëndimore në Krimenë e aneksuar ilegalisht.
Mediat botërore, përfshirë The New York Times dhe Bloomberg, cituan zyrtarë amerikanë dhe paralajmëruan se Rusia mund të sulmojë këtë dimër, derisa sipas informatave, niveli i sulmit do të mund të ishte më i madh se ai i vitit 2014, kur u aneksua Krimeja.
Zelensky, po ashtu, tha më 26 nëntor që Ukraina ka kontroll të plotë ndaj kufijve të saj dhe është gati për çfarëdo aksioni rus.
“Sot ka rrezik që nesër mund të ketë luftë. Jemi krejtësisht gati për përshkallëzim”, theksoi Zelenskiy në një konferencë për media.
Më herët, gjatë nëntorit, edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se Uashingtoni vërtet shqetësohet lidhur me lëvizjet ushtarake ruse dhe ofensivën e re të mundshme, e që, sipas tij, do të ishte gabim serioz.
Ai komentoi edhe mundësinë e rrëzimit të qeverisë së tij.
“Kemi përballë sfida jo vetëm nga Federata Ruse dhe përshkallëzim të mundshëm, por kemi edhe sfida të brendshme. Kam marrë informata për grushtshtet të mundshëm në shtetin tonë më 1 ose 2 dhjetor”, deklaroi ai.
Megjithatë, Zelensky nuk ka dhënë detaje lidhur me grushtshtetin e mundshëm dhe nuk e akuzoi Rusinë për përfshirje.
Top Channel