Tre të vdekurit nga sulmi me armë në Deçan

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën këtë të premte, pasi autobusi me të cilin po udhëtonin tetë nxënës është sulmuar me armë në fshatin Gllogjan në Deçan.

Shoferi Gani Gjokaj mbeti i vdekur në vend, kurse dhe nxënësit Ledjon Hamazaj e Gentiana Mustafaj përkatësisht 19 dhe 17 vjeç ndërruan jetë në spitalin e Pejës.

Një tjetër nxënës 17-vjeçar mbeti i plagosur, i cili është në gjendje të qëndrueshme dhe do t’i nënshtrohet operacionit.

Shoferi i vrarë nga sulmi në Deçan

Autobusi po qarkullonte nga Gjakova në Deçan, ndërsa është shmangur një numër më i lartë viktimash, pasi disa nxënës kanë ndaluar në fshatra të tjerë.

Familjarët të traumatizuar në spitalin e Pejës

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodra  Nikçi ka konfirmuar për Top Channel se 3 persona humbën jetën dhe një tjetër nxënës është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Dy nxënësit e vrarë në sulmin me armë

Ndërsa zëdhënësi i Rajonit të Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se rreth orës 19:00 policia është njoftuar se ka të shtëna drejt një autobusi në fshatin Glloxhan.

“Tetë persona kanë qenë, do të thotë autobusi ka qarkullu nga Gjsakova në Deçan dhe në fshatin Gllogjan, mirëpo një numër i nxënësve kanë ndaluar në fshatra të tjera. Në vend të ngjarjes ka mbetur i vdekur një person, kurse tre persona të tjerë janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, ku kanë vdekur më pas dy nga ta. Në vend te ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante dhe policia është në kërkim të të dyshuarve”, sipas njoftimit.

Nuk dihet ende se cilët kanë qenë atentatorët dhe shkaku i qëllimit me armë drejt autobusit, ndërsa dyshimet e para janë për një sulm terrorist.

Autoritetet janë në vendin e ngjarjes për të mësuar më shumë për sulmin e frikshëm, ndërsa policia është vënë në kërkim të autorit apo autorëve të ngjarjes.

Figurat politike në vend kanë reaguar duke u bërë thirrje njëzëri për hetim të rastit dhe kapjes së autorëve që shkaktuan tre viktima.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel