Shqipëria dhe Kosova duan të lehtësojnë dhe të thjeshtojnë ndërveprimin mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, përmes një seri marrëveshjes të nënshkruara mes dy qeverive.
Në tryezën e përbashkët, në mbledhjen e shtatë të dy qeverive, mes pakteve janë edhe heqja e leje-qëndrimeve të përkohshme, hapja e pikës së kalimit kufitar në Shishtavec, njohja e kontributeve shoqërore dhe njësimi i procedurave doganore. Sa i takon ndërlidhjes infrastrukturore, projekti më ambicioz i dy vendeve lidhet me hekurudhën.
Një tjetër marrëveshje në fushën e arsimit është njohja e ndërsjellë e diplomave dhe ambicia për të njësuar abetaren në të dyja vendet.
“Të diplomuarit do kenë njohje reciproke shumë shpejt, verifikimi do kryhet në mënyrë elektronike, hiqen shkresat burokratike, diskrecioni i përgjigjes sipas dëshirës së burokracisë”, tha në vijim të fjalës së tij Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se progresi në numër i marrëveshjeve, duhet të shoqërohet me cilësinë e zbatimit të tyre, pasi ato janë me “rëndësi ekonomike, aq edhe historike”. Ai përmendi një “traumë kolektive” kur tha se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të ndrydhur kur flasin për Shqipërinë, për shkak të ndryshimeve të simboleve kombëtare.
“Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë, do të ishte marrëzi. Të thuash se kemi dy shtete, sepse kështu jemi më të fortë, do të ishte sa tepri aq edhe shkurtpamësi. Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar, do të shquanin për nacionalist dhe të thuash se do të bashkohemi në Bashkimin Evropian, të shquajnë për diplomat”, tha Kurti.
Sipas ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi qarkullimi i qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës do të lehtësohet dhe kontrollet në kufi nuk do të ekzistojnë më. Ai sqaroi se kishte rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla që në kufi të vendosen kamera për monitorimin e automjeteve që hyjnë dhe dalin nga vendet.
“Kjo është një përpjekje që të dy bashkë e kemi ndërmarrë tashmë. Kemi bërë dhe planin e punës për këtë shkak dhe mendoj që do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonit”, tha Çuçi.
Lidhur me hapjen e tregjeve, kryeministri Rama u shpreh se të dyja qeveritë kanë nevojë që të përmirësojnë kushtet. Ai tha se një gjë e tillë do të shtojë ndërveprimin tregtar.
Kryeministri shqiptar në mbledhjen e kësaj dite ka folur edhe për krijimin e një Sekretariati Ndërkoordinues, i cili do të ndjekë me detaje marrëveshjet e nënshkruara dhe do të raportojë në zyrat e dy kryeministrive.
“Sekretariati koordinues bashkëpunon ngushtësisht dhe koordinon aktivitetin institucional të të dyja palëve jo vetëm në nivelin ministror, por edhe në nivelin e organizatave apo shoqatave që kanë ndërveprim të angazhuar mes dy vendeve”, sqaroi Rama.
Në përmbyllje, kryeministri iu drejtua edhe kabinetit të qeverisë shqiptare dhe homologëve të qeverisë së Kosovës, se “gjithçka që kemi vendosur të jetë në krye të agjendës së punës të ministrave përkatës”.
Marrëveshjet e nënshkruara:
Historiku i mbledhjeve
Në qytetin e Prizrenit do të mbahej edhe mbledhja e parë e dy Qeverive.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me homologun e tij të asaj kohe, Hashim Thaçin, do të firmosnin “deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.
Mbledhja e dytë u mbajt në qytetin e Tiranës, në vitin 2015.
Kryeministri i Kosovës në atë kohë, Isa Mustafa, do të pritej nga homologu i tij Rama, në qytetin e Tiranës, ku u firmosën 11 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
Mbledhja e tretë u mbajt në qytetin e Prishtinës, qeveria Rama do të pritej nga kryeministri Mustafa në vitin 2016.
Në atë mbledhje u evidentuan arritjet e deriatëhershme.
Më pas, në 2017-ën, nga qyteti i Korçës, u mbajt mbledhja e katërt e përbashkët e Qeverive, me moton “Një Tokë-Një popull-Një ëndërr”.
Këtë herë, Qeverinë e Kosovës e drejtonte Ramush Haradinaj.
Mbledhja e pestë u zhvillua në qytetin e Pejës, në vitin 2018.
Punimet e kësaj mbledhjeje u përmbyllën me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve e protokolleve të bashkëpunimit dypalësh.
Pas takimit qeveritar në Pejë, mbledhja e dy Qeverive, në 2019-ën u mbajt në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, por nuk morën pjesë kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.
Në vitin 2020, mbledhja do të zhvillohej në qytetin e Tiranës.
Ndërsa, sot, më 26 nëntor 2021, në qytetin e Elbasanit dy qeveritë nënshkruan 13 marrëveshje me fokus kryesisht lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve, dhe në bashkëpunim ekonomik e kulturor.
Top Channel