Në një sfidë të hapur ndaj Londrës, ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, anuloi bisedimet me homologen britanike Priti Patel, menjëherë pasi shefi i ekzekutivit anglez Boris Johnson i beri thirrje Francës të kthejë emigrantët që kanë kaluar La Manshin.
Si pasojë e përshkallëzimit të krizës politike, pas vdekjes së 27 personave ne det të mërkurën, Darmanin ka thënë se Franca është zhgënjyer nga letra.
“Publikimi i saj e bën edhe më të keqe situatën”, u shpreh ai dhe e pohoi qartë se si rezultat i letrës, Priti Patel nuk është më e ftuar.
Fundosja e gomones shënoi incidentin me numrin më të madh të viktimave në La Mansh, duke përfshirë 17 burra, shtatë gra – njëra prej tyre shtatzënë – dhe tre fëmijë.
Kryeministri Johnson theksonte në letër se një marrëveshje me Francën për të marrë emigrantët që e kanë kaluar La Manshin përmes kësaj rruge të rrezikshme, do të kishte ndikim të menjëhershëm.
Sipas të dhënave të autoriteteve franceze, 31,500 persona janë përpjekur të kalojnë përmes kësaj rruge ne Britani që nga fillimi i vitit; 7,800 persona janë shpëtuar në det.
Më shumë se 25 mijë persona kanë mbërritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit, shifër kjo tre herë më e lartë sesa në 2020.
Top Channel