Ekspertët bullgarë dalin me një tjetër variant për autobusin që u shkrumbua i tëri në autostradën e Strumës, duke marrë jetët e 45 personave- një tragjedi kjo që ka shokuar opinion publik shqiptar, maqedonas e bullgar. Fillimisht ishte thënë se autobusi ka qenë i ri dhe përdorej prej tre vitesh.
Por specialistët bullgarë pretendojnë se ai ka qenë shumë më i vjetër dhe përdorej prej të paktën 15 deri në 20 vjetësh. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Nacionale të Transportit me Autobusë dhe ish-anëtar i komisionit të transportit në Kuvendin e Bullgarisë, Ivajllo Konstantinov, thotë se autobusi ishte model i viteve 2005-2008. Është e mundur që kompanitë maqedonase ta bëjnë këtë lloj loje sipas tij, pasi i riparojnë autobusët dhe pretendojnë se janë të rinj.
“Gjatë riparimit ndërrohen pjesët e vjetra, dhe vendosen pjesë të reja moderne. Por kjo çon drejt kompromentimit të izolimeve origjinale nga fabrika që i ka prodhuar dhe që janë rezistente ndaj zjarrit. Izolimi tjetër i vendosur nuk dihet se nga çfarë materiali bëhet. Ky autobus nuk ka tre vjet, sepse shihet qartë se cfarë modeli është”, u shpreh Konstantinov.
Mediat shkruajnë se ai mund të jetë riparuar në Turqi. Sot i dorëzohen autoriteteve bullgare teste e ADN-së që do të mundësojnë identifikimin e trupave. Partia opozitare VMRP DPMNE sakaq ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshme maqedonas, Oliver Spasovski dhe ministrit të transporteve, Bllagoj Boçvarski duke theksuar sesi autobusi i Besa Trans, pa dokumentacionin e nevojshëm, kishte kaluar në doganë e nëpër kontrolle policore.
Top Channel