Nesër mbyllet burgu i Zaharisë, të dënuarit transferohen në Shënkoll

26/11/2021 18:35

Ditën e nesërme do të mbyllet burgu i Zaharisë dhe të dënuarit do të dërgohen në godinën e burgut të Shënkollit.

Aktualisht në institucionin e Zaharisë janë të akomoduar 292 shtetas me masë mjekësore ” mjekim i detyruar”.

Më herët Manja deklaroi se të dënuarit duhet të kalojnë në administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Para ministrit Manja, edhe ish-ministrja Etilda Gjonaj kishte njoftuar se burgu i Zaharisë do të mbyllet.

Për burgun e Zaharisë edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit e deri në Strasburg  ka diskutuar për kushtet dhe trajtimin çnjerëzor të mbi 230 të burgosurve për krime të ndryshme.

Fakti që të sëmurët mendorë që bëjnë krime duhet të izolohen në një spital ligjor, dhe mungesa e një institucioni të tillë, ka sjellë që këta persona të mbahen në Burgun e Zaharisë në Krujë.

Në nenin 15 të ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” thuhet se institucionet mjekësore të posaçme ose seksione të veçanta në burgje ose në spitale jashtë sistemit të burgjeve shërbejnë për mjekimin e të dënuarve të sëmurë ose me shqetësime mendore ose psikike.

Vendosja e personave në këto institucione dhe seksione mund të parashikohet që në fillim në vendimin e dënimit ose gjatë ekzekutimit të dënimit, me miratim të prokurorit dhe në raste që nuk presin, edhe nga drejtori i burgut, ku ndodhet i dënuari, duke vënë në dijeni menjëherë prokurorin.

Dalja nga këto institucione bëhet me propozim të drejtuesit të institucionit dhe me miratim të prokurorit. Për vendosjen, refuzimin e vendosjes, daljen ose refuzimin e daljes, i dënuari, mbrojtësi ose kujdestari i tij kanë të drejtën e ankimit në gjykatë brenda 5 ditëve nga marrja dijeni.

Në institucionet dhe seksionet e mjekimit respektohen të gjitha të drejtat e të dënuarve sipas këtij ligji, për aq sa janë të zbatueshme në kushtet spitalore. Ministri i Drejtësisë dhe ministri i Shëndetësisë me udhëzim të përbashkët përcaktojnë mënyrën e zbatimit të këtij ligji në to. Me urdhër të prokurorit në këto institute mund të vendosen edhe të dënuar që kanë profesione që lidhen me mjekësinë ose fusha të tjera të nevojshme, kur për ta nuk ka pengesa sipas këtij ligji.

Vendosja e të dënuarve në këto institute bëhet nga gjykata në rastet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Në këto institute, me rekomandim të shërbimit mjekësor të burgjeve ose të institucioneve të tjera mjekësore, të dënuarit me burgim transferohen me urdhër të prokurorit. Dalja dhe vendosja e të dënuarve në burgje bëhet nga organi që ka vendosur ekzekutimin e vendimit në institut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA