Brenda pak ditësh, çiftet e reja do të kenë mundësi për të aplikuar për kredi të butë në bashkinë e Tiranës.
Lajmin e bëri të ditur për emisionin “Zona Zero”, nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anisa Ruseti. Sipas saj, këtë vit do të jepen 300 kredi të buta, ndërsa përfitues do të jenë çiftet e reja, mosha e të cilëve (së bashku) nuk i kalon 70 vjeç.
“Ditët e para të dhjetorit do të hapim aplikimet për 300 kredi të buta. Tashmë procedura për dokumentet është lehtësuar plotësisht, duke qenë se na vjen në ndihmë e-Albania. Prioritet janë familjet e reja, çiftet e reja dhe mosha e përbashkët e çiftit nuk duhet të jetë më shumë se 70 vjeç”, u shpreh nënkryetarja e Bashkisë.
Programi i subvencionimit të interesave të kredive do të targetojë familje/individë që nuk disponojnë banesë në pronësi, e ku përparësi në përzgjedhje kanë çiftet e reja dhe të rinj me moshë deri në 35 vjeç; individë/familje të minoritetit rom dhe egjiptian si dhe gra kryefamiljare ose gra të dhunuara
Gjithsesi, pritet të bëhet publik vendimi i bashkisë, ku do të specifikohen edhe kriterët për aplikim.
Çdo individ/familje mund t’i drejtohet bankave për të marrë ofertën që i përshtatet më mirë kushteve të tij dhe në pas të vijojë me bankën që përzgjedh vetë. Kontrata e kredisë që do të lidhë qytetari do të jetë me interes fiks për pjesën që i takon qytetarit deri në 3%, ndërsa luhatjet mbi këtë normë interesi janë në ngarkim të buxhetit të shtetit.
Top Channel