Me 77 vota u miratua buxheti 2022/ Nuk merren parasysh amendamentet e propozuara nga opozita dhe Braçe

26/11/2021 00:55

Kuvendi këtë të enjte miratoi me 77 vota pro buxhetin e vitit 2022. Seanca plenare për miratimin nen për nen nisi me kundërshtitë e fermerëve. Të mbledhur para Parlamentit ata kërkuan që paketa fiskale të mos miratohet.

Për t’i dëgjuar shkoi vetë kryeministri Rama. Pas takimit fermerët thanë se ranë dakord me kreun e qeverise vetëm për t’u ulur në bisedime.Edhe kreu i PD Lulzim Basha kritikoi buxhetin ku tha se paratë po shkojnë vetëm për klientët e qeverisë.

Propozimet për paketën fiskale të ish-zv/kryeministrit Erion Braçe nuk gjetën mbështetje as nga vetë socialistët në Kuvend. Projektbuxheti parashikon rritje të pagesës së papunësisë, dyfishimin e ndihmës ekonomike si dhe trefishimin e ndihmës për familjet në nevojë me 3 fëmijë.

Paga minimale do të arrijë në 32 mijë lekë brenda 2022, ndërkohë që për pensionet do të ketë vetëm indeksim sa vlera e inflacionit si dhe do të jepet bonus 5 mijë lekë në fundvit. Paketa fiskale- me votat e mazhorancës u miratuan 4 projektligjet, dhe ndryshimet kryesore ishin tek bujqësia, ku u hoq rimbursimi për fermerët dhe u vendos taksë 10% për inputet.

Taksimi progresiv mbi pagat u ndryshua, pagat deri në 40 mijë lekë nuk do të paguajnë tatim, pagat nga 50-200 mijë lekë do paguajnë 13% dhe pagat mbi 200 mijë lekë do të paguajnë 23%.

Top Channel