Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari ka përfunduar hetimin disiplinor ndaj kolegut të tij, Luan Daci, pasi Gjykata e Lartë vendosi që të mos e pranojë rekursin e këtij të fundit ndaj dënimit të formës së prerë për falsifikim dokumentesh.
Në një njoftim për mediat, tregohet se gjyqtari Hajdari ka përfunduar procedurën hetimore në procesin disiplinor ndaj anëtarit të Kolegjit, gjyqtarit Luan Daci, duke vijuar menjëherë me hartimin e raportit përkatës mbi rezultatet e hetimit.
Po ashtu, theksohet se duhet të njoftohet me këtë vendim gjyqtari Luan Daci, Komisioni Disiplinor i ngritur pranë Kolegjit për zhvillimin e procedimit disiplinor dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Procesi i shkarkimit për Dacin u inicua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, por u pezullua në korrik nga Hajdari në cilësinë e gjyqtarit hetues të çështjes.
Rreth tetë muaj pas dënimit të formës së prerë për ‘falsifikim dokumentesh’ dhe rrëzimit të rekursit nga Gjykata e Lartë, gjyqtari Luan Daci vazhdon të jetë ende pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, megjithëse i pezulluar nga detyra.
Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani për falsifikim të dokumenteve.
Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij nga ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku; si dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla.
Top Channel