Përmes një ceremonie madhështore, të denjë për faraonët e dikurshëm, Egjipti prezantoi rrugën e “Rams”, e mbushur me qindra statuja sfinksi me koka dashi që datojnë më shumë se 3 mijë vjet më parë.
Rruga me kalldrëm lidh tempujt e Karnakut dhe Luksorit dhe u përurua nga Presidenti Abdel Fattah al-Sisi dhe një sërë zyrtarësh të lartë, pjesëmarrës të eventit të veçantë.
Rruga është gati 3 kilometra e gjatë. Ajo quhet “Rruga e Zotave”, ashtu siç emërtohej në mitologjinë e lashtë egjiptiane.
Nga të dyja anët, është e rrethuar me statuja, të cilat shkretëtira i kishte varrosur prej shekujsh përpara se të zbuloheshin e restauroheshin për ekspozim nga egjiptologët vendas këto vitet e fundit. Dashi konsiderohet mishërim i hyjnisë së lashtë egjiptiane Amun.
Tempulli i Karnakut u ndërtua rreth 2,000 deri në 4,000 vjet më parë dhe i kushtohet Amun-Ra, hyu i lashtë i Diellit. Ajo mbulon një sipërfaqe prej mbi 100 hektarësh.
Tempulli i Luksorit ndërkohë u ngrit 3,400 vjet më parë nga Amenhotepi i III-të dhe është përdorur si vend i idhujtarisë fetare, që nga egjiptianët e lashtë te koptët e krishterë e më vonë, dhe myslimanët.
Ministria egjiptiane e turizmit dhe antikitetit kërkon ta bëjë këtë zonë një magnet të vërtetë për turistët duke rritur reputacionin e saj si “muze në qiell të hapur”.
Top Channel