Dy vjetori i tërmetit tragjik/ Basha: Duhen vënë para drejtësisë përgjegjësit për jetët e humbura në Thumanë

26/11/2021 16:50

Në përvjetorin e dytë të tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kryetari i PD, Lulzim Basha ishte në Durrës ku pasi vizitoi familjen Kujtim e Nexhmije Shkalla, që jeton ende në banesën e rrënuar, përcolli një mesazh për të gjithë ata që humbën familjarët e të dashurit e tyre, por edhe për të gjithë shqiptarët.

Jemi të vetëdijshëm po kështu që ka kaluar 2 vjet dhe kjo plage nuk është lehtësuar, por është bërë dhe më e rëndë nga braktisja. Sepse kjo është koha për të kujtuar sesi 2 vjet më parë dhe 2 vjet në vazhdim njerëzit u braktisën, u lanë në mëshirë të fatit. Një pjesë e madhe prej tyre sot janë akoma në çadra, kanë kaluar dimrin e dytë në çadra, po hyjnë në dimrin e tretë në çadra”, tha Basha.

Kryedemokrati Basha tha se kjo është vetëm njëra pamje e tragjedisë, pamja tjetër është ajo çfarë ka zgjatur për dy vite me radhë, të cilën e konsideroi si ç’njerëzore dhe sipas tij është harresa e braktisja.

Është shpërdorimi kriminal i pushtetit dhe i fondeve të pushtetit që të gjithë e pamë se kishte një qëllim”, tha Basha.

Basha tha se PD, jo vetëm do ta çojë deri në fund kauzën e dëmshpërblimit për të gjitha dëmet materiale, por do vendosë para drejtësisë edhe ata njerëz të cilët u rëndojnë jetët e banorëve të 2 pallateve në Thumanë.

Unë jam sot këtu për tu zotuar që familja jonë politike, Partia Demokratike e Shqipërisë është e vendosur ta çojë deri në fund kauzën e dëmshpërblimit të drejtë për të gjithë dëmet materiale që kanë pësuar mijëra familje nga tërmeti si dhe për të vënë para përgjegjësisë ata njërëz të cilët u rëndojnë jetët e banorëve të 2 pallateve në Thumanë. Të shohin ditën e tyre para ligjit. Natyrisht ky nuk është një shpagim I mjaftueshëm për vuajtjet tuaja, por është një domosdoshmëri në mënyrë që çdo pushtet në të ardhmen ta ketë të qartë që e ka jo vetëm detyrë humane ti shërbejë njerëzve në nevojë por dhe do të ndëshkohet nëse nuk e bën këtë“, tha ai.

Kjo e premte shënon dy vjetorin e tërmetit tragjik të ndodhur më 26 nëntor 2019, ku si pasojë humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 1000 të tjerë.

Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave, duke lënë pa strehë shumë familje kryesisht në Thumanë dhe në disa zona të Durrësit.

Mëngjesi i 26 nëntorit ku vendi u trondit nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës rihter la një plagë të pashërueshme për familjet dhe të afërmit e 51 viktimave të tij. Qindra të plagosur, la pas ajo dridhje e fuqishme e tokës, kryesisht në Durrës, Kurbin, Tiranë dhe Lezhë.

 

Top Channel