Dy vjet pas tërmetit tragjik/ Në Durrës, 214 banesa janë rindërtuar dhe 11 pallate drejt përfundimit

26/11/2021 11:46

Dy vjet pas tërmetit tragjik, për shumë familje durrsake kthimi në normalitet është ende një sfidë dhe shpresë e largët. Në këto dy vite Durrësi u përball me pasojat e tërmetit, por edhe pandemisë dhe burokracive zyrtare, që cenuan procesin e rindërtimit.

Mjaft qytetarë ende sot sorollaten nëpër dyert e institucioneve për të mësuar fatin e objekteve të tyre të banimit, ndërsa jetojnë në banesa me qira.

Në orën 03:54 të 26 nëntorit 2019, Durrësi u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës rihter. Për pasojë u dëmtuan mijëra banesa dhe objekte të tjera, ndërsa gjetën vdekjen 23 persona nga 51 viktima që shkaktoi në vend ky tërmet.

Ende në gjykatën e Durrësit vijon gjykimi për 14 shtetas, ndaj të cilëve prokuroria e Durrësit ka ngritur akuzat për “Vrasje nga pakujdesia”, “Falsikim i dokumentave” dhe “Shpërdorim detyre”.

Deri tani janë zhvilluar në gjykatën e Durrësit 11 seanca. Hetimet nisën pas dyshimeve se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në vdekjen e njerëzve erdhën edhe si shkak i ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimeve, si dhe për shkak të ndërtimeve të kryera pa lejen e organeve kompetente.

Gjithashtu dyshohet se pasojat e rënda erdhën edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudatorë të këtyre ndërtimeve, si dhe nga moskryerja e detyrës nga nëpunësit shtetërorë dhe publik të ngarkuar me kontrollin e mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve.

E ndërsa 14 persona janë vënë në bankën e të akuzuarve dhe gjykimi ndaj tyre vijon, po vazhdon edhe procesi i rindërtimit në territorin e bashkisë së Durrësit, më e dëmtuara nga tërmeti.

Deri tani janë rindërtuar 214 banesa individuale dhe 100 familje kanë përfituar grantin e rindërtimit, ndërkohë 405 pallateve u janë riparuar ambjentet e përbashkëta dhe fasadat. 11 pallate, 2 në qytetin e Durrësit dhe 9 në Manëz janë drejt përfundimit dhe brenda vitit bashkia ka deklaruar se do të shpërndahen apartamentet e para. 14 nga 31 godina arsimore të dëmtuara janë rindërtuar, ndërsa të tjerat janë në proces.

5270 familje prej dy vitesh po trajtohen me bonus qiraje, ndërsa qëndrojnë në pritje të rindërtimit.

Gjatë këtyre dy viteve në prokurorinë e Durrësit ka pasur një mori padish nga qytetarët për procedime penale, po për shumë prej tyre institucioni i akuzës ka marrë vendim për mosfillim te procedimit, apo dhe pushim të çështjeve penale.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA