Bleu votat për organizimin e Olimpiadës, 30 vite e 11 muaj burg për ish-drejtuesin brazilian

26/11/2021 13:25

Ish-presidenti i Komitetit Olimpik Brazilian (COB), Carlos Arthur Nuzman, është dënuar me 30 vjet e 11 muaj burg për korrupsion, pastrim parash dhe evazion fiskal.

Gjykatësi Marcelo Bretas tha se 79-vjeçari udhëhoqi një skemë kriminale për të blerë vota, që Rio de Zhaneiro të organizonte Lojërat Olimpike të viti 2016-ës.

“Arsyet që e çuan Carlos Nuzman në praktika kriminale janë të dënueshme,” tha Bretas në vendim. “Ai e ka treguar veten se është një person i pangopur dhe se, pavarësisht se ka njohuri të plotë për natyrën kriminale të aktiviteteve të tij… ka përdorur rolin e tij publik për të kryer krime.”

Sipas ligjit brazilian, Nuzman do të jetë i lirë derisa të konsumojë të gjitha shkallët e gjyqësorit, shkruan Super Sport.

Ish-guvernatori i Rios, Sergio Cabral, sipërmarrësi Arthur Soares dhe shefi i operacioneve të Rio 2016, Leonardo Gryner u shpallën gjithashtu fajtorë.

Sipas hetuesve, Nuzman, Cabral, Soares dhe Gryner koordinuan pagesën e një ryshfeti prej dy milionë dollarësh për ish-presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, Lamine Diack, dhe djalin të tij, Papa Diack, në këmbim të votave për të drejtat e organizimit të Olimpiadës.

Nuzman dha dorëheqjen si president i COB, një pozicion që ai e kishte mbajtur për më shumë se dy dekada, në tetor 2017, pasi u vendos në arrest shtëpiak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA