Ndryshohen bravat e derës në degën PD, Fier/ Luan Baçi bën denoncim në polici, reagon Kapllanaj

25/11/2021 15:03

Ish-kryetari i degës së Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi këtë të enjte ka denoncuar në polici ndryshimin e brave të dyerve të zyrave të kësaj partie në këtë qytet.

Top Channel mësoi se Baçi, i shoqëruar edhe nga disa anëtarë të tjerë demokratë, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit të Fierit dhe kanë denoncuar ngjarjen.

Në lidhje me ngjarjen, reagoi menjëherë kryetari i komanduar i kësaj dege, Agron Kapllanaj. Ai tha se zyra është marrë në dorëzim nga funksionarë të kësaj partie të ardhur nga selia qendrore, pasi këto ambjente janë pronë e Partisë Demokratike dhe demokratëve të qytetit të Fierit.

Zyrën e Partisë Demokratike, dega Fier e kam marrë në dorëzim nga funksionarë të PD-së në qendër, të cilët kanë ardhur me një procesverbal dhe më kanë dhënë edhe çelësat, por edhe bazën materiale. Nëse jeni të interesuar ju tregoj edhe procesverbalin. Kjo është një zyrë e PD-së dhe e demokratëve të Fierit”, tha kreu aktual i PD-së, dega Fier.

Në lidhje me ndryshimin e bravës së zyrës, Kapllanaj tha se nuk e kupton dot se nga ka ardhur ky shqetësim, për vetë faktin se këto janë zyra të PD-së, dega Fier.

Ish-kryetari i kësaj dege ka më shumë se një vit që ka dhënë dorëheqjen dhe ky vend ka qenë vakant. Me vendim të Kryesisë të Partisë Demokratike unë jam komanduar të drejtoj këtë degë deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

Nga ana tjetër, Luan Baçi, njëkohësisht edhe deputet i Partisë Demokratike është shprehur më herët se nuk ishte shkarkuar nga posti i kryetarit të degës, ndërsa ka folur edhe për një takim mes tij dhe kreut demokrat Lulzim Basha, sipas të cilit, i ka kërkuar zëvendësimin e tij me ish-kandidatin për deputet Agron Kapllanaj.

Ky i fundit, u emërua kryetar i kësaj dege pasi Luan Baçi vendosi të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Emërimi është bërë me datë 19, në të njëjtën ditë kur është zhvilluar takimi Basha-Baçi.

Top Channel