Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar në emisionin Open në Top Channel këtë të enjte ka mohuar akuzën se ka gisht në shpalljen e Sali Berishës ‘non grata’.

“U  bënë 4-5 muaj, sot është hera e parë që unë jam pjesë e shpalljes së tij ‘non grata’, është një sajese, më vjen keq që dita ditës zhytet në sajesa. Unë kam bërë gjithçka që mund të bënte dikush, qoftë edhe anëtar i familjes së tij pas shpalljes së tij ‘non grata’”, tha Basha.

Kujtojmë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit, pasi ky i fundit u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD-së, pasi ishte shpallur ‘non grata’ nga SHBA-ja.

Pas këtij vendimi, Berisha vijon luftën politike me anë të foltoreve të mbajtura me mbështetësit e tij në qytetet e vendit.

Berisha e akuzon Bashën se është marrë peng nga Rama dhe po bashkëpunojnë, gjë që është hedhur poshtë nga kryedemokrati.

Kujtojmë se me datë 10 nëntor, ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij dorëzuan firmat e mbledhura në selinë e PD-së, me qëllim mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar më datë 11 dhjetor.

Ndërkohë ka pasur thirrje për dy Kuvende me data të ndryshme.

Më 15 nëntor, kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha në fjalën e tij gjatë takimit me anëtarët e Kryesisë së PD-së, ka theksuar se “11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD-së, në ditën e izolimit të PD-së”.

Kreu i demokratëve ka zyrtarizuar datën 18 dhjetor për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, e cila është kundërshtuar me forcë nga ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij.

Lulzim Basha nuk e njeh Kuvendin e shpallur nga paraardhësi i tij dhe ka kërcënuar me përjashtuam këdo që shkel interesat politike dhe elektorale te partisë, duke nisur me Sali Berishën.

 

 

 

 

Top Channel